Nga Ermal Vija
Kur kanë kaluar më shumë se 3 javë nga zjarri që shkrumboi magazinën tek Casa Italia që shkaktoi edhe vdekjen e 32-vjeçarit Arjan Sala, prokuroria nuk ka përcaktuar ende shkakun e rënies së zjarrit. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se, peng i hetimeve është bërë përgjigja e ekspertizës, që nuk ka mbërritur ende në duart e prokurorëve.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se, grupi hetimor që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarje, ka rikthyer sërish dosjen në polici. Pritet që efektivët të kryejnë në sërë detyrash, siç është marrja në pyetje e punonjësve të qendrës tregtare që kanë qenë në detyrë ditën kur magazine u përfshi nga flakët.
Po kështu hetuesit janë duke u pritur përgjigje të disa ekspertizave që janë mbledhur si prova në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e deri tanishmne ka të dhëna se magazina ka qenë e përshtatur, pasi më herët ka shërbyer si parking për qendrën tregtare, ndërsa ka dyshime se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Një nga përgjigjet që presin hetuesit nga ekspertët është përcaktimi nëse kanë qenë funksionale pajisjet anti zjarr. Pasditen e 24 marsit magazina e qendrës tregtare ‘Casa Italia’ u pushtua nga flakët për katër ditë me radhë, ku përveç dëmeve të mëdha material humbi jetën edhe i riu Arian Sala./abcnews.al