Zjarrfikësit në Kurbin dhe Mirditë: S’kemi mjete dhe as burime njerëzore

schedule11:33 - 14 Korrik, 2023

schedule 11:33 - 14 Korrik, 2023

LEZHË- Me rritjen e temperaturave vendi ynë përballet me një tjetër shqetësim që lidhet me prezencën e zjarreve në pyje dhe kullota. Në Mirditë dhe Kurbin thonë se nuk kanë kapacitete logjistike dhe as burime njerëzore për të përballur situata të vështira, sidomos në kushtet, kur shfaqet më shumë se një vatër zjarri në terrenin që ato  mbulojnë.

Në Mirditë pavarësisht se pretendojnë se kanë mjete, janë  gjithsej 12 zjarrfikës, ku dy prej tyre janë drejtues. Sipas tyre, e kanë të pamundur për të ndërhyrë nëse do kishte dy vatra zjarri njëherësh, pasi ndarja në grupe e burimeve njerëzore ul dhe forcën reaguese.

Megjithëse kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për rritje të personelit, kjo nuk ka marrë zgjidhje. Në Kurbin, janë 16 zjarrfikëse, ndërsa drejtuesi i MSZH, thotë se me mjetet që disponon e kanë të pamundur për të ndërhyrë.

Ai thotë se kanë një zjarrfikëse të vitit 1975 dhe kjo e bën shumë të vështirë përballjen me zjarret në terren.

“Nuk kemi forca mbështetëse. Kemi një mjet të 1975. Ai mjet sado që ta rinovosh, prapë ka probleme. Duhen mjete të shpejta për të kapur pikat ku duhen. Nuk kemi rrugë dhe normalisht problematika është më e lartë”, thanë përfaqësues të zjarrfikësve.

Ato i ngritën këto shqetësime në takimin që zhvilluan ditën e djeshme me kreun e Emergjencave Civile, Haki Çako. Ai tha se qeveria ka investuar dhe ka ndarë buxhet, por përgjegjësia e menaxhimit është e bashkive, ndaj të cilave kërkoi shtim efikasiteti në raste zjarresh./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!