Zjarret në vend, Bici nga Ksamili: Para përgjegjësisë penale të gjithë ata që dëmtojnë natyrën

schedule20:20 - 31 Korrik, 2021

schedule 20:20 - 31 Korrik, 2021

Zëvendësministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici është shprehur nga Ksamili se autorët e zjarreve të qëllimshme në Shqipëri do të vihen para përgjegjësisë. Bici u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga zjarret, edhe pse sipas saj, strukturat janë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente.

Ajo theksoi se temperaturat janë në disfavor ndërsa falenderoi gjithë efektivët që janë angazhuar në këto ditë vere për të shuar zjarret. Ndërkohë, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata më e vështirë është në Karaburun, ndërsa bëhet e ditur se vijon puna në Fier, Bulqizë Delvinë, Përmet, Kukës e Durrës.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES 

“Efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar këto ditë përkrah pushtetit vendor për shuarjen e vatrave të zjarreve në zona të ndryshme të vendit. Pas gati 8 orësh në betejë me flakët u arrit që të izolohej vatra në kodrat e Ksamilit. Operacioni u ndoq nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, e cila në përfundim inspektoi terrenin, dhe përgëzoi efektivët e DMR Gjirokastër dhe forcat zjarrfikëse, për punën e palodhur.

“Një falenderim shkon, jo vetëm për forcat operacionale, efektivët e Ksamilit, por për të gjithë efektivët e Shqipërisë, të cilët janë duke shuajtur varta të tjera zjarri. Edhe një herë treguat që me punën dhe përkushtimin tuaj të arrijmë që të mos kemi pasoja”, u shpreh zv.ministrja e Mbrojtjes.

Ndërkaq ajo paralajmëroi të gjithë zjarrvënësit që, me qëllim ose jo, dëmtojnë natyrën.

“Unë do të kisha një thirrje për të gjithë banorët e Ksamilit, pushuesit, të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre dhe siguroj që kushdo që me veprimet e tij rrezikon të shkatërrojë natyrën e bukur që na ka falur Zoti do të vihet para përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse do të jenë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente, që mund të na paraqitet, duke patur parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta janë në disfavorin tonë”, theksoi zv.ministrja e Mbrojtjes.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ben me dije se puna për normalizimin e situatës po vijon edhe në Karaburun, ku paraqitet rasti më i vështirë. Grupit të punës për shuarjen e flakëve u janë bashkuar edhe 85 forca të tjera, ndër të cilët 40 janë efektivë të FA. Po ashtu puna po vijon edhe në qarkun Fier, ku po punohet me mjete te tonazhit të rëndë. Vatra aktive mbeten në fshatin Mazhicë, bashkia Bulqizë, ku zjarri ka djegur sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por edhe në fshatin Delvinë, bashkia Përmet.  Puna po vijon për normalizimin e situatës edhe në fshatin Shikaj, bashkia Kukës, në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, ku janë përfshirë nga flakët një sipërfaqe me shkurre, ullishte dhe pyll pishe.”