Zona e Lushnjes po përjeton një periudhë të vështirë për sa i përket zjarreve. Brenda dy muajve janë regjistruar 50 raste dhe shumica e tyre janë zjarre të qëllimshme. Në prokurori policia ka dërguar materiale për 10 persona të dyshuar si autorë të këtyre ngjarjeve.
Me flakë të tillë zjarrfikëset në Lushnje po përballen çdo natë. Kalimtarët apo banorët njoftojnë për vatra që ndizen njëra pas tjetrës. Një zjarr ra natën në pyje e Garunjasit në Lushnje. Shefi i zjarrfikseve thotë zjarre të tilla nuk janë të rastësishme. Sidomos kur temperaturat janë të ulëta.
Fatmir Bozi shef i PMNZSH: “Ky ishte një zjarr i befasishëm dhe jo fort i këndshëm. Të paktën në këto orare që vendoset zjarri e në këtë vend që vendoset zjarri dihet që mund të jëtë nga papërgjegjshmëria e dikujt që ka qenë në ato momente. ”
Pati vetëm dëme në bimësinë e ulët të pyllit, por nëse sipërfaqja do të zgjerohej djegia e kurorës me pisha do të sillte pasoja të rënda. Afër tij ndodhet fshati Garunjas me rreth 1000 banorë. 50 raste janë shënuar për gjatë dy muajve të fundit në Lushnje. Policia ka dërguar në prokurori materialet për 10 persona për ndjekje penale për veprën shkatërrim me dashje, të djegies së pasurive publike./abcnews.al