I gjendur përballë një vale kritikash për shkak të keqmenaxhimit të situatës së zjarreve që morën me dhjetëra jetë njerëzish, ministri grek për Mbrojtjen Civile ka dhënë dorëheqjen. Nikos Toskas ka deklaruar se përballë përmasave të tragjedisë nuk mund të vijojë më detyrën.
Ministri grek për Mbrojtjen Civile, Nikos Toskas ka dhënë dorëheqjen të premten në lidhje me zjarret masive të muajit të kaluar që vranë rreth 90 persona. Toskas kishte ofruar dorëheqjen e tij menjëherë pas zjarreve të 23 korrikut në qytezën bregdetare të Matit, por kryeministri Tsipras kishte refuzuar ta pranonte atë. Megjithatë, këtë të premte, gjatë një takimi kokë më kokë me kreun e qeverisë, Toskas ka rishprehur dëshirën e tij dhe Tsipras nuk i ka thënë jo. Ministri për Mbrojtjen Civile, por jo vetëm, është gjendur në përballë një valë kritikash për mënyrën e menaxhimit të situatës së zjarreve, konkretisht për mungesën e një urdhëri evakuimi për banorët dhe për bllokimin e tyre gjatë përpjekjeve për t’u shpëtuar flakëve. Shumë njerëz arritën të shkonin në det, por të tjerë humbën jetën rrugës, në makinat e tyre, ose në majë të shkëmbinjve në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve. “Kjo katastrofë natyrore dhe humbja e kaq shumë jetëve në Mati dominon mbi dëshirën time për të vazhduar punën si ministër. Kjo është diçka që e kam thënë që në fillim”, ka thënë Toskas në një deklaratë. Ditën e premte bilancit të viktimave iu shtua edhe një person tjetër, një grua 35-vjeçare që ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve. Djali i saj 6-muajsh vdiq ditën e zjarrit në krahët e saj si pasojë e asfiksimit nga flakët. Autoritetet greke vijojnë ndërkohë hetimet në pistën e zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa detyra e Toskas i është besuar Panos Skurletis, ministër i Brendshëm i vendit. /abcnews.al