Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zjarret, 30 vatra aktive/ Shtohen forcat nga toka, ndërhyrje me helikopterë dhe avionë

schedule20:11 - 11 Gusht, 2025

schedule 20:11 - 11 Gusht, 2025

Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu zonën rreth Syrit të Kaltër  ka prekur edhe zonën e parkut kombëtar duke përbërë një kërcënim serioz.

Era e fortë ka shtyrë vatrën drejt zonës së banuar, ndërsa zjarri ka rrethuar edhe fshatin Pecë. Terreni i thyer dhe malor e bën të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse, ndërsa helikopterët vijojnë të punojnë për shuarjen e flakëve si në rrethinat e Syrit të Kaltër, ashtu edhe në Pecë.

Situata paraqitet kritike. Të paktën 500 turistë u evakuuan nga Syri i Kaltër gjatë kësaj të hënë.

Nga flakët që kanë përfshirë rrethinat e Syrit të Kaltër janë evidentuar edhe dëme e para. Zjarri ka djegur 40 koshere bletësh, ndërsa rrezikon edhe shume të tjera.

Situatë e vështirë me flakët raportohet edhe në disa fshatra të Finiqit, ku vatrat janë aktive prej një jave.

Zjarri i nisur shtatë ditë më parë në Dhivër ka përfshirë edhe fshatin Leshnicë e Poshtme, ku ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë djegien e disa banesave. Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, është marrë masa e evakuimit të banorëve. Këtë të hënë zjarri vijon të përhapet drejt Leshnicës së Sipërme, ndërsa situata mbetet kritike.

Gjithashtu është riaktivizuar vatra e zjarrit edhe në fshatin Krongj. Autoritetet dhe forcat zjarrfikëse në terren po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të thyer dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair.

Në të gjithë vendin janë 30 vatra zjarri aktive. Nga këto 5 janë më kritiket dhe puna vijon si për shuarjen nga toka e ajri, ashtu edhe për hetimin e zjarrvënieve të qëllimshme të dyshuara.

Shumë vatra aktive zjarri raportohen në Rrogozhinë. Në fshatin Ballaj dhe Zhabjak, Zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas punës së ekipeve në terren zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA. Në këtë zonë janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr.

Këtë të hënë forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës. Edhe në Synej, zjarri ka përshkuar rreth 10 ha sipërfaqe, ndërsa po punohet punojnë për shuarjen e tij. Në këtë zonë që prej orëve të para të mëngjesit, ka operuar avioni kroat Canadair për të bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në bashkinë e Poliçanit, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, ku vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në terren po punojnë strukturat operacionale, ndërsa janë evakuuar edhe banorët.

Një vatër zjarri është ndezur gjatë pasdites edhe në fshatin Tërbaç të Vlorës. Vatra ndodhet në një terren shumë të vështirë për të ndërhyrë me mjete nga toka, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve.

Në fshatin Bolenë, të Himarës vijon operacioni për të vënën nën kontroll flakët. Po ashtu zjarr ka rënë edhe në fshatin Lukovë.

Në Devoll zjarri përfshiu një sipërfaqe kullote në fshatin Vernik, duke djegur një stallë bagëtish. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve u bë e mundur lokalizimi i flakëve.

Ministria e Mbrojtjes raporton vatra aktive edhe në fshatrat e Tiranës, Berzhitë dhe Ibë, ku flakët janë përhapur në një sipërfaqe prej 5 hektarësh në një zonë me shkurre.

Dy helikopterët Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe mbërritën këtë të hënë në Bazën Ajrore të Kuçovës për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend. Ekuipazhi arab do të bashkëpunojë me forcat shqiptare për të përballuar situatën.

Po ashtu helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake që operojnë nga Baza e Kuçovës u angazhuan në Gramsh.

Flakët në të gjithë vendin janë favorizuar nga temperaturat e larta, pasi në zonat e ulëta arritën deri në 42 gradë. Nisur nga kjo situatë emergjente, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërit thirrjen për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!