Real Madrid fitoi 5-0 kundër Leganesit në “Santiago Bernabeu” mbrëmjen e kaluar. Rodrygo, Kroos, Sergio Ramos, Benzema dhe Jovic ishin autorët e golave për ekipin e Zidane, që renditet i dyti me 21 pikë, një më pak se Barcelona kryesuese.
Kontingjenti i lojtarëve të “Los Blancos” është i madh dhe mbrëmë i qëlloi Vinicius Junior të qëndrojë në tribunë. Sulmuesi brazilian nuk e ka pritur mirë vendimin e trajnerit, por francezi shpjegon gjithçka.
Sulmuesi 19-vjeçar ka shënuar një gol në 360 minuta aktivizim në kampionat, teksa numëron edhe 45 minuta në Champions League. Afrimi i Eden Hazard i ka zvogëluar hapësirat, por Zidane tenton t’i japë zemër brazilianit në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.
“Vinicius është një lojtar si gjithë të tjerët dhe kësaj radhe i takoi atij të qëndronte jashtë. Mos të harrojmë që sezonin e kaluar nuk kishim Hazard. Vinicius duhet të vazhdojë të punojë fort. Kemi besim tek ai dhe e dimë që do të jetë e ardhmja jonë. E kam të qartë që askujt nuk i pëlqen të qëndrojë jashtë, jo vetëm Viniciusit. Është gjithmonë e dhimbshme të lësh jashtë ekipit 4-5 lojtarë“, thekson Zinedine Zidane. /abcnews.al