Zidane u largua nga Reali për shkak të konfliktit me Perez

schedule22:57 - 5 Qershor, 2018

schedule 22:57 - 5 Qershor, 2018

Zinedine Zidane pati një arsye të fortë për t’u larguar nga Reali i Madridit. Mediat raportojnë se legjenda franceze pati mosmarrëveshje me presidentin Florentino Perez.

Kur u shfaq para mediave në krah të presidentit, askush nuk e priste.

Shtangia ishte e plotë, kur Zinedine Zidane tha fjalët tashmë të famshme se “vendosa të mos vazhdoj sezonin tjetër si trajner i Realit të Madridit”, ndërsa nxitoi të shtonte se “fola me presidentin për t’i shpjeguar atë që mendoja”.

Gjithsesi, askush nuk mbeti i bindur për ato që u dhanë si arsye të largimit të tij nga klubi më i madh i botës”.

Nuk kanë kaluar shumë ditë, dhe mediat raportojnë se ishte një mosmarrëveshje mes trajnerit, tashmë një ish, dhe presidentit të plotfuqishëm Florentino Perez, që solli vendimin që të gjithë e dimë.

Përse ky konflikt mes dy njerëzve që ngjanin si vëllezërit siamezë?

Gjithçka lidhur me planet për të ardhmen, për lojtarët që duhej të afroheshin në klub.

Zidan, mësohet se dëshironte me patjetër të merrte yllin e Çelsit, Eden Hazar, pavarësisht sesa mund të kushtonte ai, 100 apo 150 milionë euro.

Presidenti kishte ide të tjera, dhe dëshironte portierin e Mançester Junajtidit, dhe të Spanjës, David De Gean.

Duhej marrë ose njëri, ose tjetri, ndërsa ndoshta nuk ka pasur dakordësi as për brazilianin Nejmar.

Pasi Perez këmbënguli për De Gean, mediat shkruajnë se Zidan iu përgjigj: “Unë nuk vazhdoj më tej, merre ti drejtimin e skuadrës”.

Përpjekjet e mëvonshme të numrit 1 të klubit për ta bindur, mesa duket nuk patën vlerë, dhe gjërat precipituan shpejt.

Zidan u largua në kulmin e lavdisë, tri herë kampion i Europës, fitues i vjetshëm i La Ligës, fitues i dy Superkupave të Europës dhe dy Kupave të Botës për klubet.

Tashmë, Reali po kërkon ethshëm një pasardhës të francezit, por ende nuk po e gjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!