Real Madrid rikthehet nesër në fushë dhe vitin 2020 e nis në transfertë kundër Getafes. Ekipi i Zinedine Zidane dëshiron ta fillojë vitin me fitore. Me datë 8 është gjysmëfinalja e Superkupës së Spanjës kundër Valencia dhe Hazard do të mungojë. Trajneri francez ndalet edhe te “thatësira” e sulmit në konferencën për shtyp, teksa tregon se çfarë do të thotë dështim real.
SULMI – “Nuk besoj se është problem fakti që kemi shënuar pak. Ka momente kur nuk arrin t’i konkretizosh rastet që krijon. Kjo gjë na ka ndodhur në dy ndeshjet e fundit. Rëndësi ka që të vijojmë të punojmë të qetë. Lufta vazhdon gjithmonë, por rëndësi ka motivimi. Jemi mirë fizikisht dhe duam të japim më të mirën nesër”.
OBJEKTIVAT – “Nuk e quaj sezonin dështim nëse nuk arrijmë të fitojmë tituj. Dështim është të mos luftosh dhe të mos japësh maksimumin. Në fund të fundit, vetëm një skuadër ia del të fitojë titullin dhe Champions League”.
HAZARD – “Eden do të mungojë në Superkupë, kjo është 100% e sigurt. Nuk do të udhëtojë me ne në Arabinë Saudite, do të vijojë programin e tij për t’u rikuperuar plotësisht”. /abcnews.al