Zidane: Nuk do plakem në pankinë, ja kush është trajneri më i mirë

schedule16:37 - 21 Dhjetor, 2019

schedule 16:37 - 21 Dhjetor, 2019

Real Madrid zhvilloi një ndeshje pozitive në “El Clasico” dhe doli i pamposhtur nga fusha e Barcelonës. Nesër është radha e ndeshjes kundër Athletic Bilbao në “Santiago Bernabeu” dhe Zinedine Zidane e ka të qartë që nuk bëhet fjalë për një duel të thjeshtë.

Trajneri francez flet rreth shumë temave në konferencën për shtyp. VAR-in e vlerëson, teksa beson se nuk do plaket në pankinë. Në fund një koment për Pep Guardiolën, të cilin e cilëson si trajnerin më të mirë në botë.

NDESHJA – “Një tjetër ndeshje, një tjetër rival i vështirë, një tjetër betejë. Athletic Bilbao e ka nisur mirë kampionatin dhe e dimë se çfarë na pret nesër. Jemi gati për të bërë mirë, do vendosim në fushë gjithë energjinë tonë në këtë ndeshje të fundit për këtë vit”.

VAR – “Teknologjia është e rëndësishme. Duhet të jemi të gjithë në favor të VAR-it, sepse redukton shumë gabimet. Kaq mund të them, nuk dua të komentoj më ndeshjen me Barcelonën, ajo i përket së kaluarës tani”.

SITUATA – “Nuk humbasim prej 12 ndeshjesh radhazi. Unë vazhdoj ta konsideroj veten me fat që drejtoj klubin më prestigjioz në botë. Zgjohem çdo mëngjes për të praktikuar pasionin tim më të madh. Nuk mund të kontrolloj atë që ndodh jashtë nesh, jam krenar për punën që bëj çdo ditë”.

E ARDHMJA – “Nuk e di se deri kur do të jem trajner, varet nga ndjesitë që do të kem me kalimin e kohës. Ndoshta jam një trajner ndryshe, por më intereson ajo që ndjej dhe përjetoj çdo ditë. Nuk besoj se do të jem ende trajner në moshën 60 ose 70-vjeçare”.

GUARDIOLA – “Jemi përballur shumë herë në karrierë dhe Pep është i njëjti. E respektoja shumë si futbollist, e respektoj edhe si trajner. Mendoj se është trajneri më i mirë në botë. E ka demonstruar gjithmonë këtë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!