Ditën e nesërme Real Madridin e pret një përballje vendimtare për sa i përket ecurisë së tyre në Champions League. Madrilenët do të presin në shtëpi Borussia M’Gladbah në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, por trajneri Zidane ka marrë një lajm jo të mirë ditën e sotme.
Luka Jovic nuk është stërvitur me grupin paraditen e sotshme dhe pak më vonë ishte vetë klubi që konfirmoi dëmtimin e tij. “Pas testeve të kryera nga Shërbimet Mjekësore të Real Madrid, Jovic është diagnostifikuar me një dëmtim muskulor në këmbën e tij të djathtë. Në ditët e ardhshme do të zhvillohet një tjetër testim për të vlerësuar dhe një herë situatën e tij”, shkruhet në deklaratën zyrtare në faqen e klubit.
Tekniku francez ka disa probleme në repartin e sulmit, pasi serbi nuk është mungesa e vetme për këtë takim. Eden Hazard vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërkohë edhe Mariano Diaz nuk do të jetë në dispozicion për duelin me gjermanët. Pesha e sulmit do të mbetet në duart e Benzemas, Vinicius Jr apo dhe tek Rodrygo. /abcnews.al