Zhvillohet stërvitja detare “Grupex-22”, nga Shëngjini deri në Sarandë: Anijet në gjithë bregdetin, i përgjigjemi çdo situate

schedule10:39 - 27 Maj, 2022

schedule 10:39 - 27 Maj, 2022

Për dy ditë më radhë efektivë të Forcës Detare në Forcat e Armatosura zhvilluan në bregdetin e vendit stërvitjen GRUPEX-22.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në nisje të kësaj stërvitjeje e cilësoi të rëndësishme atë,  veçanërisht në këtë moment të rritjes së standardeve të Forcave të Armatosura.

Peleshi foli për një plan ambicioz që Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria ka për Sigurinë Kibernetike.

“Për Forcën Detare kemi gjithashtu ambicie dhe plane ashtu siç i kemi ndarë me komandantin për të shtuar flotën tonë në një të ardhme afatmesme, për të rritur kapacitetet tona të mirëmbajtjes”, tha Peleshi.

Peleshi u shpreh se parashikohen investime të mëdha në fushën e infrastrukturës dhe këto po diskutohen dhe planifikohen edhe me programin qeveritar si pjesë e projekteve të mëdha për Shqipërinë.

Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje përvojën që Forcat e Armatosura të Shqipërisë morën pikërisht një vit më parë nga stërvitja më e madhe “Defender 2021”.

Ndërsa Komandanti i Forcës Detare, Kundëradmiral Adnand Agastra shpjegoi qëllimet e kësaj stërvitjeje, që kanë të bëjnë edhe me shërbimin konkret ndaj komunitetit.

“Pas kësaj stërvitjeje, anijet do të shpërndahen në të gjithë bregdetin shqiptar; nga Shëngjini deri në Sarandë, në të gjitha portet e hapura, por edhe bazat e Forcës Detare me qëllim që t’i përgjigjemi situatave të sezonit për shkak të rritjes së fluksit, të turistëve, të përdorimit edhe të paligjshëm të detit. Anijet do të jenë me kohë në rajon për t’ju përgjigjur të gjitha situatave”, u shpreh Kundëradmiral Agastra.

Kjo stërvitje kishte si synim vlerësimin dhe certifikimin e grupeve të anijeve patrulluese si njësi zbatuese, testimin e aftësive organizative dhe komanduese të komandantëve të grupeve, planëzimin e Shtabit të Flotiljes Detare si dhe kryerjen e qitjeve me armatimin e anijeve.

Në stërvitjen Grupex-22 dhe qitjet bregdetare morën pjesë 11 anije të Flotiljes Detare, 3 anije të klasit “ARCH ANGEL” si edhe Grupi i Bordingut. Stërvitja dhe qitjet bregdetare u zhvilluan në përputhje me dokumentet stërvitore si dhe ato të NATO-s./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!