Zona malore e Ungrejit në Lezhë shihet si mundësi për zhvillimin e turizmit. Janë të shumtë të huajt që zgjedhin t’a vizitojnë këtë zonë për shkak të natyrës së egër.
Banorët e zonës po planifikojnë ndërtimin e njësive të shërbimit, por shqetësim për ta ka qenë infrastruktura rrugore.
“Ka turistë që kalojnë, por rruga ka qenë e keqe. Pjesa tjetër e Mirditës dhe e Shkodrës është shumë e keqe, vijnë me makina dhe me motora por që ju prishen dhe ne i ndihmojmë që të ikin”, është shprehur një banor.
“Vijnë gjerman, francez, etj. Turistët nuk duan qytetin por duan fshatin pasi argëtohen”, ka thënë një tjetër banor.
Bashkia e Lezhës po ndërhyn për rikonstruksionin e rrugës. Për kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun investimi me vlerë 250 milion lekë do të ndikojë në zhvillimin e zonës dhe të turizmit.
Ungreji është një zonë e fokusuar tek bujqësia, por së fundmi po ripërtërin edhe sektorin e turizmit duke parë interesin e vendasve dhe te huajve./abcnews.al

