Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se do të vijojnë me protesta derisa të plotësohet kërkesa e tyre për të ngritur një komision hetimor për çështjen McGonigal. Deputetët opozitarë kërkojnë që të hetohet kryeministri Edi Rama, pasi sipas tyre, ai ka paguar për të shkatërruar opozitën.
Sipas tij, kryeministri po shmanget prej disa javësh që të japë llogari dhe se i takon opozitës që të kërkojë hetime për këtë çështje. Ndonëse është përjashtuar nga Kuvendi për 10 ditë për veprime jo etike, Spaho tha se do të vijojë që të bllokojnë parlamentin derisa të plotësohet kërkesa e tyre.
“Ne jemi 44 deputetë që kemi firmosur dhe duhet ta kishte krijuar. Kanë kaluar 6 javë dhe s’ka për ta krijuar. Ne kemi vendosur protestë kombëtare, para parlamentit dhe në parlament. Në këtë kuptim po i kundërvihemi pezullimit të Kushtetutës nga kryeministri sepse nuk e zbaton.
Pezullimi i Kushtetutës do të thotë grusht shteti. Sot grushtet e shtetit nuk i bën dot me ushtri por në këtë formë duke nxjerrë jashtë loje institucionet. Ka ndonjë pushtet që s’e ka kapur? “, tha Spaho duke shtuar se është përgjegjësia e opozitës për të ngritur zërin për popullin.
“Ne parlamentin nuk do ta lëmë të funksionojë normalisht sa kohë nuk plotëson kushtin për të ngritur komisionin hetimor si dhe pikën për seancën për pyetje përgjigje që kemi kërkuar.”, tha ai. “E gjithë lufta që bëmë në parlament nuk pati vlerë sepse diktatori vazhdon me mendjen e tij.
Nuk do ta lëmë derisa të na hipë në qafë. Është përgjegjësia jonë që të ngremë zërin. Ti biem bilbilit, të dalim në protestë, të thyejmë dhe karriget në parlament./abcnews.al

