Blerta Kambo është një artiste, aktiviste dhe fotografe lindur dhe rritur në Tiranë. Projektet e saj artistike ndjekin një qasje konceptuale, të përqendruar rreth temave sociale, mjedisore, arkivave, por që kanë në fokus të vërtetën. Shpesh ajo i jep “echo” edhe feminizmit.
Puna e saj më e fundit është një ndërhyrje artistike, e cila synon që të krijojë një dialog mes trashëgimisë, historisë dhe kauzave, duke transformuar përkohësisht figurën e gruas me xhubletë në mozaikun e Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës. Një grua pa flokë dhe me shenjë në gjirin e djathtë simbolizon një kauzë solidariteti për të gjitha gratë që përballen me kancerin e gjirit. Por, kjo figurë dhe ky mesazh që autorja e kësaj vepre, Blerta Kambo, synonte që të përcillte u keqinterpretua, madje në shumë raste u përdor për keqinformim.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News ajo zbulon se si qëndron e vërteta e mesazhit që ajo ka synuar të përcjellë me veprën e saj. Ku apeloi gjithashtu edhe për akuzat dhe shpifjet që janë ngritur kundrejt saj. Për personat që kamë nxitur urrejtës dhe kanë shpifur Kambo tha se do bëjë kallëzim, duke ndjekur rrugët ligjore.
“Mozaiku është një vepër shumë e bukur, ndonëse është krijuar dhe përfaqëson një epokë tjetër. Ajo është krijuar në një epokë kur duhet që të përfaqësonte një imazh tjetër të Shqipërisë, nuk kishte lidhje as me imazhin e gruas, por nga realizmi socialist. Kurse, për mua ajo përfaqëson një heroinë bashkëkohore, një grua shumë të fortë. Prandaj e kisha shumë të rëndësishme që të ruhej. Ky mozaik do të qëndrojë 12 ditë, sepse 1 në 12 gra preken nga kanceri i gjirit. Është një statistikë shumë e frikshme, edhe pse ne nuk e flasim shumë këtë gjë. Ka pasur shumë keqkuptime dhe keqinterpretime.
Këta persona kanë publikuar fakte të pavërteta lidhur me këtë mozaik dhe nuk më bezdis më shumë përdhosja e emrit time, se nuk ka gjasa që të dëmtojë integritetin tim personal dhe artistik prej shumë vitesh. Kjo më ka shqetësuar në shumë, sepse nuk është ndaj meje dhe ndaj asaj që unë po kaloj, problemi është që hedh poshtë një kauzë kaq të fuqishme siç është kanceri në gji dhe baltos betejën me të cilën këto gra janë përballur. Kjo është gjëja që mua më lëndon. Si ka mundësi që këta individë që nuk mendojnë për askënd tjetër veçse për veten e tyre. Bëjnë zhurmë online, për të marrë një post politik më vonë. Dezinformojnë njerëzit dhe shtojnë urrejtjen. Unë mendova që do të kishte një reagim.
Zgjedhja e imazhit pa flokë nuk është për të festuar këtë episod, sepse për shumë gra është episodi më i tmerrshëm që vjen me këtë beteje, por kam dashur të them se pavarësisht mungesës së flokët dhe kësaj beteje ju jeni ende të forta, jeni ende të bukura. Është e vendosur mbi trupin mbi asaj që unë besoj forca e vërtetë, “Nëna Shqipëri”. Ajo që unë do të bëj, është që do e padis për shpifje. Do ndjek të gjitha rrugët ligjore. I bëra një kërkesë publike që heqë atë postim që ka bërë dhe të zhbënte dezinformimin që ka bërë dhe mu kthye në një mënyrë shumë arrogante”, tha Blerta Kambo./abcnews.al

