Dy interpelanca dhe një seancë pyetje-përgjigje janë në rendin e ditës në seancën e sotme parlamentare.
Interpelanca e parë do të zhvillohet me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Deputetja demokrate ka kërkuar gjithashtu të zhvillojë një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Evis Kushu lidhur me paketën e rezistencës sociale dhe përjashtimin e studentëve nga kjo paketë.
Ndërsa Interpelanca e dytë është kërkuar nga deputeti Nasip Naço me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Rendi i ditës:
12:53 – Krimi me 3 viktima dhe dy të plagosur në Klos, Çupi: Nëse nuk do ishte vonuar policia ngjarja nuk do kishte ndodhur
Deputetja e Partisë Demokrtatike, Dhurata Çupi ndërsa ka folur në Kuvbendin e Shqipërisë gjatë seancës plenare të ditës së enjte ka komentuar krimin që ndodhi një ditë më parë në Klos, ku Fiqiri Mjeshtri vrau babë e bir Liri dhe Kenad Shira, plagosi Eglantin dhe Renato Hasulën dhe më pas vrau veten, për shkak të të disa ngacmimeve që dy adoleshentët i kishin bërë vajzës së tij.
Çupi tha se ngjarja e djeshme në Klos tregoi edhe njëherë se shteti ka rënë përtokë, dhe se po të mos ishte vonuar policia nuk do të kishim këtë bilanc tragjik sot.
Fjala e plotë:
Dua të shpreh ngushëllimet e mia për jëtët e humbura dje në Klos. Uroj që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten asnjëherë jo vetëm në Klos por në të gjithë Shqipërinë.
Por ajo që ndodhi dje në Klos është dëshmi e qartë e një fakti. Rendi publik në Shqipëri ka rënë përtokë, e mos të them është futur nën dhe.
Qytetarët s’kanë asnjë besim tek institucionet ligjzbatuese, te institucionet e drejtësisë e me radhë. Në një vend aq të vogël si Klosi policia vonon për të shkuar në vendngjarje. Po të mos ishte vonuar policia ndoshta do ishte parandaluar vetëvrasja. Sot debatet dhe konfliktet zgjidhen me armën ne brez.
Qytetarët që unë përfaqësoj këtu në Parlament nuk shquhen për rekorde kriminale, por shquhen si njerëz të zgjuar e punëtorë .
Por jo vetëm për fajin e tyre këto ditë janë bërë personazhe të lajmeve të kronikës së zezë.
Në fillim të kësaj jave Kujtim Lila, 52 vjeç, kryefamiljar, baba dhe bashkëshort, humbi jetën duke punuar në një minierë në zonën e Bulqizës.
Historia e Kujtimit është e njëjtë me atë te 4 minatorëve të tjerë këtë vit, të Sazan Dedës që humbi jetën në Korrikun e kaluar, dhe 115 minatorëve të plagosur në 10 vitet e fundit, ndër të cilët 39 prej tyre kanë humbur jetën në rrethana tragjike. Galeritë e kromit, që duhet të ishin një bekim për zhvillimin dhe mirëqënien e zonës, janë kthyer në një mallkim që hap dyert e mortit në familjet fisnike. Gjaku dhe djersa e njerëzve të ndershëm të Bulqizës derdhet çdo ditë për të mbushur xhepat e biznesmenëve dhe politikanëve të Tiranës.
Shteti duket se i ka harruar ata qytetarë, të cilët cdo ditë ndahen nga fëmijët e tyre, pa qenë të sigurtë se do t’i shohin përsëri dhe i janë nënshtruar arrogancës së biznesmenëve që përfitojnë nga pasuritë kombëtare në kurriz të njerëzve të urtë e punëtorë.
Kushtet e punës dhe trajtimi financiar i tyre është jo vetëm skandaloz, por anti-ligjor dhe kriminal. Inspektoriatet e pafundme të shtetit që nuk lënë biznes të vogël e të ndershëm pa i trokitur në derë, i kanë mbyllur sytë përballë trajtimit mizor, arbitrar dhe abuziv që iu bëhet minatorëve të Bulqizës.
Policia dhe Prokuroria, herë nga paaftësia, herë nga korrupsioni, e herë nga mosdëshira, i mbyllin dosjet e minatorëve akoma pa i hapur, nën diktatin e të fortëve, kriminelëve, pushtetarëve dhe parave të pista.
Edi Rama që duket sikur ka kohë për t’u marrë me këdo dhe cdo gjë, nuk i shikon jetët që shuhen përditë diku nën thellësitë e tokës së Bulqizës. Nuk kujtohen të thonë as gjysëm fjale, as ngushëllimi e as reagimi. Por mesa duket ka urdhëruar edhe kyçjen e gojës së institucioneve për tu përgjigjur në rrugë zyrtare.
Unë si deputete e Partisë Demokratike, nuk do të resht sa kohë të kemë mundësi të ngre shqetësimin e tyre. Me këtë qëllim, në cilësinë e Deputetit, referuar ligjit për statusin e deputetit, me 26 Korrik i jam drejtuar me disa pyetje Prokurorisë së Matit, për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit. Por që nga Korriku e deri më sot më 13 tetor asnjë nga këto institucione nuk kanë denjuar të kthejnë përgjigje në shkelje të ligjit.
Ndaj unë sot po i adresoj pyetjet publikisht:
1.Sa është numri i aksidenteve me pasojë vdekjen në minierat e qarkut Dibër për periudhën 01.01.2021 – 30.06.2022?
2.Sa është numri i kallëzimeve penale të regjistruara për aksidentet e sipërmendura?
3.Sa është numri i procedimeve penale të regjistruara për aksidentet e sipërmendura?
4.Sa është numri i personave që iu atribuohet vepra penale/nën hetim/të pandehur, në kuadër të procedimeve penale të mësipërme?
5.Sa është numri i procedimeve penale për të cilat është kërkuar pushimi i cështjes dhe cështjeve të dërguara për gjykim?
6.Sa është numri i vendimeve penale për të cilat është vendosur deklarimi fajtor dhe dënimi i të pandehurve?
Sa është numri i personave të pandehur?
7.Sa është numri i vendimeve penale për të cilat është vendosur deklarimi i pafajshëm të të pandehurve?
8.Sa është numri i cështjeve që aktualisht janë nën hetim nga ana e Prokurorisë?
Në c’fazë ndodhen këto cështje dhe brenda cfarë afati parashikohet dërgimi i tyre në gjykatë?
Dhe këtu para qytetarëve që na ndjekin dhe kolegëve po them se nuk do ta lë me kaq këtë çështje. Drejtësia e vonuar ëhstë drejtësi e mohuar, por unë dua të besoj se drejtësi do ketë shumë shpejtë.
12:11- “Duhet rregulluar infrastruktura në Berat”, Balluku-Naços: Në 2023 do mbështesim paketat sociale për përballimin e krizës
Deputeti socialist Nasip Naço gjatë seancës së sotme parlamentare kishte kërkuar interpelancë me ministren e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku lidhur me investimet në bashkinë e Skraparit. Ministrja Balluku deklaroi se nisur nga kriza me të cilën po përballet bota, buxheti i qeverisë do të drejtohet më tepër drejt paketave sociale për mbështetjen e qytetarëve, por pa lënë pas investimet në infrastrukturë.
Pjesë nga Interpelanca
Naço: Nuk mund të hedh baltë mbi punën që është bërë gjatë këtyre viteve në infrastrukturë. Por përsa i përket qarkut të Beratit, infrastruktura duhet rregulluar. Infrastruktura e rrënuar nuk i shërben turizmit. Beratit dhe Skraparit i drejtohen mijëra turistë gjatë vitit. A ka në buxhetin e vitit 2023 fond për restaurimin? Sa është vlera e parashikuar për rehabilitimin e aksit Skrapar-Përmet? Kur është planifikuar të nisen punimet në këto akse. Ky është qëllimi im i interpelancës.
Balluku: Interpelanca e kërkuar për investimin në infrastrukturë në Skrapar është një interpelancë e duhur. Ne jemi shumë të gatshëm që t’ju japim dokumentacionin e duhur për projektet që janë në vazhdim ose do të zhvillojmë në 2023. Viti 2023 do të jetë një vit që na vë para një sfide shumë të madhe. E para është siguria energjitike dhe e dyta është mbrojtja kibernetike. Duke pasur parasysh dhe gjithë krizën ekonomike që bota po kalon për sa i përket inflacionit duhet pasur parasysh që është një vit me një buxhet konservator që ka tendencën të mbështesë të gjitha paketat sociale. Jo se investimet do t’i lëmë pas dore, por peshën më të madhe do ta çojmë aty ku është nevoja, aty ku kjo krizë na detyro. Aksi rrugor Berat-Skrapar është përfshirë në një kontratë mirëmbajtjeje për një periudhë 2-vjeçare me një vlerë 91.9 milionë lekë.
Duhet pasur parasysh që jemi në sezonin e vjeshtës dhe sasi e reshjeve për energjinë fillon e shtohet. Nga ana e kompanisë kontraktore do fillojë t’i kushtohet kujdes mirëmbajtjes dhe rënies së rrugëve, fenomen që ka ndodhur gjithmonë në këtë aks. Deri në vitin 2022 ka planifikuar që në këtë aks të përfundojë punimet e ndërhyrjes me 5 mijë metër asfaltime, instalimin e mbrojtëseve anësore metalike.
11:30- Zhupa: Mbyllët dy institucionet me standardet më të larta. Kushi: Gjykata i ka dhënë të drejtë vendimit të Këshillit të Ministrave
Mbyllja e dy institucioneve arsimore private është bërë sërish temë diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputetja demokrate Ina Zhupa akuzoi Ministren e Arsimit, Evis Kushi dhe qeverinë se ka mbyllur në mënyrë të padrejtë dy nga institucionet me standardet më të larta në Shqipëri. Sipas saj qeveria shqiptare u soll si vasale e një shteti tjetër.
Në përgjigjen e saj ministrja Kushi deklaroi se mbyllja e dy institucioneve erdhi për shkak të mos respektimit të ligjit, duke shtuar se opozita nuk duhet të hedhë akuza ndërkohë që ajo që duhet të thotë fjalën e saj në këtë çështje që është drejtësia, i ka dhënë të drejtë vendimit të Këshillit të Ministrave.
Pjesë nga debati:
Zhupa: U mbyllën një shkollë dhe një kopësht, të dyja në shërbim të fëmijëve shqiptarë. Rama dhe Nikolla i kanë dhënë çertifikatë pak vite më parë, ndërsa sot thonë nuk kanë standarde. Me thënë të drejtën nuk kanë për institucione me standarde më të larta se këto dy institucione. Mund të më thoni se çfarë standardesh nuk plotësojnë?
Kushi: 10 ditë më parë gjatë një fjale këtu dhashë shpjegime në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e institucioneve arsimore, ku theksova është një vendim administrativ nuk duhet politizuar. Më vjen keq që ju në letër shkruani sipas të dhënave në media kemi të bëjmë me një vendimmarrje abuzive. E para jo të gjitha mediat kanë dalë në këtë konkluzion. As ju dhe as ne nuk mund t’i referohemi medias për të vlerësuar ligjshmërinë e këtij vendimi, janë institucionet e drejtësisë. Gjykata e ka dhënë fjalën e parë duke i dhënë të drejtë këshillit të Ministrave. Së dyti ju thoni heqja e licencave cënon të drejtën për arsimim për qindra fëmijë. Ky është abuzim, pasi sot të gjithë nxënësit janë sistemuar në kopshte dhe shkolla të tjera, të gjithë po vijojnë mësimin. Në letër shkruani dhe diçka tjetër çdo institucion privat arsimor mund të jetë target iu sulmeve nga ana e institucioneve shtetërore, po si mund të nxisni konflikt, shteti i mbron ato për sa kohë që zbatojnë ligjin. Shteti nuk është PS, shteti janë institucionet, ligjet, njerëzit. Sa i përket shkollës, ky institucion ka ndryshuar vendndodhjen pa marrë lejen e Minsitrisë së Arsimit. Ky institucion i ka dërguar dy shkresa Ministrisë së Arsimit, por ministria nuk i ka miratuar, pasi pas inspektimit nuk respektonin standardet, duke nisur nga higjena deri tek kushtet e tjera, e njëjta gjë ndodh edhe me kopështin.
Zhupa: Zonja ministre hajde shkojmë bashkë në një shkollë në një kopësht që plotëson standardet më shumë se këto dy shkolla që kemi. Sot kemi kushte Migjeniane duke u ngrohur me dru. Edhe shkollën që bëtë 4 milionë euro sërish nuk e keni me standardet me shkollat që mbyllet. Sa i përket ligjit gënjyet, ligji nuk ju thotë t’i hiqni liçencën, si fillim i paralajmëroni, pastaj i vini kushtet, pastaj gjobë, dhe pastaj mund të shkoni mbyllje. Por ju jeni vasalë pasi siç e tha dikush juve nuk ju pëlqejnë ato fonde që vijnë nga fondacioni Gylenit. Keni mbyllur në mënyrë të padrejtë dy institucione me standarde shumë të larta.
10:49 – Kumbaro i përgjigjet Zhupës: Organizata Botërore e Turizmit rendit Shqipërinë të dytën në botë për rikuperimin e turistëve
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro nga foltorja e Kuvendit i është përgjigjur deputetes demokrate Ina Zhupa. Kjo e fundit ka thirrur për interpelancë ministren lidhur me sezonin e turizmit dhe problematikat që e shoqëronin.
Ndërsa Kumbaro, e cilësoi sezonin turistik si më të suksesshmin.
Kumbaro: Saranda është rasti tipik, por jo i vetmi ku sezoni turistik nuk mbyllet në gusht por vijon edhe në vjeshtë. Në muajin shtator kishte turistë gjermanë, italianë, polakë dhe shumë nga vendet nordike. Ky shtator është më i miri për sa i përket numrit të turistëve. Edhe muaji tetor konfirmohet më i mirë se sa tetori i një muaji më parë, pasi vijojnë rezervimet.
Në Sarandë dhe në Ksamil ka rreth 900 njësi akomoduese, çka përkthehet në mbi 25 mijë shtretër. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kemi një rritje të prurjes me mbi 25%. Po flas vetëm për Sarandën.
Pas një pause 3-vjeçare kemi një rikthim të turistëve nordikë. Risi ishte ardhja e turistëve spanjollë, që kaloi mbi 4.5 herë më shumë se vitin e kaluar. Edhe ata italianë erdhën 85% më shumë se vitin e kaluar. Suksesi i kësaj vere ishte dhe hapja e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Këto flukse kanë ndikuar dhe në shitjen e pasurive të patundshme në Gjirokastër duke synuar jo vetëm turizmin në Gjirokastër por edhe në bregdetin e Sarandës.
Kjo verë nga qershori deri në shtator ka pasur çdo javë nga një artikull në mediet ndërkombëtare duke i bërë jehonë turizmit. Një aspekt shumë i rëndësishëm ka qenë përpjekja e bashkisë për të mbajtur pastër një territor që për 3 muaj u popullua 10 herë më shumë se numri i banorëve që jetojnë aty për 9 muaj të tjerë. Padyshim që Saranda ishte më e pastra këtë verë, ashtu siç ishin dhe bashkitë e tjera.
Ministria e Turizmit ka filluar punën për vitin 2023. Në datën 1 nëntor deri në 30 nëntor do të jetë faza e aplikimit të subjekteve që punojnë dhe ndërtojnë ekonomi në këtë sektor. Turizmi këtë vit ka qenë jo vetëm më i mirë se çdo vit, por flet dhe për një shtirje në kohë.
Nëse frekuencat e para fillojnë në mars dhe vijojnë deri në nëntor, kjo tregon që zhvillimi i atraksioneve të reja turistike, e bëjnë Shqipërinë vërtetë ashtu sikurse në fakt e ka nxjerrë dhe Organizata Botërore e Turizmit, që e radhit Shqipërinë të parin vend në Evropë për rikuperimin e numrit të turistëve pas pandemisë me 19% më shumë vizitorë dhe të dytin në botë.
Zhupa tha se Kumbaro duhet të ishte larguar pas ngjarjeve të rënda që shoqëruan sezonin turistik, ku kulmi arriti me ngjarjen e rëndë në Potam.
10:32 – Zhupa: Shqipëria e bekuar nga njerëzit, e mallkuar nga qeveritarët. Kumbaro duhet të ishte larguar pas ngjarjeve në plazhe
Deputetja demokrate Ina Zhupaka thurrur ditën e sotme për interpelancë në Kuvendin e Shqipëri Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Në fjalën e saj në Kuvend, Zhupa tha se në një shtet tjetër ajo nuk do të ishte duke bërë interpelancë me Kumbaron, pasi ajo duhet të ishte larguar pas ngjarjeve të rënda që shoqëruan sezonin turistik, ku kulmi arriti me ngjarjen e rëndë në Potam.
Ndërkohë me ironi shtoi se është e kënaqur sot që sheh Kumbaron të pamaskuar, ashtu siç bënte gjatë verës kur inspektonte plazhet.
“Edhe si deputete e një zone e cila mbahet për turizëm dhe është një nga perlat e Shqipërisë e ndjeva për detyrë të kërkoja interpelancë për Ministren e Turizmit. E falënderoj zonjën Kumbaro që sot vjen e pamaskuar siç bënte kur inspektonte plazhet. Vendi ynë është i bekuar nga njerëzit punëtor, por i mallkuar nga qeveritarët. Mjafton që t’ju kujtoj ngjarjet e hudhura që ndodhën gjatë sezonit turistik. Mjafton të kërkoni në google se si mbyet i mituri, si mbyetet vëllai, mbytet vëllai i dytë etj, nuk dua të zgjatem se janë lajmet të hidhura. A ka përgjegjësi Ministrja për këto? Të gjithë e mbani mend vrasjen në Potam, a kishte përgjigjes Kumbaro? Në një shtet tjetër nuk do të bëja interpelancë me Kumnbaron, pasi ajo do kishte dhënë dorëheqjen. E dini për çfarë është përgjegjëse ministrja, për dhënien e licencave dhe mbikëqyrjen e mjeteve ujore, për distancën nga plazhistët. A mendoni se ka një farë përgjegjësie edhe ministrja? Sigurisht që po. Ne shihnim ministren që inspektonte Durrësin natën për plehrat, ndërsa ditën Durrësi lëngonte nga plehrat”, tha Zhupa.
10:19 – Rota: Shqipëria faktor stabiliteti në rajon, “Ballkani i Hapur” mekanizëm që duhet vlerësuar
Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota mbajti një fjalë përshëndetëse ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai përshëndeti forcimin e marrëdhënieve ndër vite mes dy vendeve.
Rota vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe kontributin e saj të dhënë në rajon për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ku nisma e fundit ishte Ballkani i Hapur.
“Siç e përmende Kanadaja dhe Shqipëria vendosën para 35 viteve marrëdhënie diplomatike. Sa i përket sigurisë vendi juaj ndihmoi në stabilizimin e rajonit. Në 2009-n Shqipëria ju bashkua NATO-s. Shqipëria ka punuar fort për të forcuar mekanizmat e stabilitetit në rajon përmes Ballkanit të Hapur. Më erdhi mirë për hapjen e negociatave. Kanadaja mbështet Shqipërinë në integrimin e BE. Presimi të kemi marrëdhënie të ngushtë edhe në Këshillin e Sigurisë. Shqipëria ka punuar fort edhe në masat e tjera”, tha Rota.
Ndërkohë ai falënderoi Shqipërinë që ju bashkua aleatëve perëndimorë në përkrahjen e Ukrainës në këtë luftë të pazakontë ndaj agresionit rus.
Sipas tij sot deputetët e Ukrainës duhet të jenë një shembull për ligjvënësit në mbarë botë.
“Lufta dhe agresioni rus kundër Ukrainës po kërcënon rregullin dhe vetë themelet e demokracive tona. Ky agresion na ka treguar se shtete që mendojnë njësoj duhet të punojnë bashkë. Si parlamentar besoj se edhe ju ndieni tronditjen por edhe admiron që kolegët tanë ukrainas sapo mbarojnë seancat rrokin armët për mbrojtjen e atdheut. E pra ky është një tjetër akt i admirueshëm dhe tregon forcën e demokracisë. Shembulli i kolegëve tanë duhet të na shërbejë si frymëzim për të gjithë ne. Me miratimin unanim të dhomës së komunave kemi dënuar pushtimin rus. Edhe komisionet tona kanë vepruar ndaj këtij pushtimi. Zelensky ju drejtua dhomës së komunave. Udhëheqja e tij na frymëzon të gjithëve për t’i dhënë fund kësaj lufte të neveritshme. Si parlamentar na takon të bëjmë rolin tonë për të adresuar të gjitha problemet me të cilat përballen vendet tona. Besoj se hapi i parë për të gjetur zgjidhjet e duhura është dialogu”, tha Rota.
/Abcnews.al/