Zhoze Murinjo kërkon më shumë miliona për yje

schedule21:19 - 27 Dhjetor, 2017

schedule 21:19 - 27 Dhjetor, 2017

Zhoze Murinjo nuk është aspak i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion edhe pse ka shpenzuar 350 milionë euro për të blerë yje. Trajneri portugez kërkon më shumë nga drejtuesit e Mançester Junajtidit.

Për herë të parë Zllatan Ibrahimoviç luajti në krah të Romelu Lukakut.
Dy yjet më të mëdhenj të sulmit nuk i mjaftuan Mançester Junajtidit, madje as ndaj një ekipi me emër modest si Bërnli brenda në “Old Traford”.
Skuadra e Zhoze Murinjos hodhi një tjetër hap fals, duke u ndalur në një barazim 2-2 duke i pakësuar edhe më shumë shanset për titull, ndërsa trajneri portugez u hodh në sulm.
Murinjo u ngacmua se përse ekipi i tij nuk është në gjendje të konkurrojë me Mançester Sitin për fitoren e Premier Ligës, por e pati përgjigjen në majë të gjuhës.

“Ne jemi në sezonin e dytë të ndërtimit të një skuadre futbolli që ju e dini nuk është një nga më të mirat në botë. Kur ju flisni për përgjegjësinë për të fituar Premier Ligën, Totenhemi nuk e ka këtë përgjegjësi sepse nuk e ka historinë tonë. As Arsenali nuk e ka këtë përgjegjësi, as Çelsi. Ju e dini se Mançester Siti blen mbrojtësit me çmimin e sulmuesve. Pra, kur ju flisni për klubet e mëdhenj të futbollit, ju flisni për historinë e tyre. Ne kemi shpenzuar 300 milionë paund stërlina, por sërish kaq nuk mjafton”.

Murinjo është mësuar që të dalë kampion në sezonin e dytë me ekipet e tij, dhe kështu ndodhi në Itali me Interin, në Spanjë me Realin dhe herën e dytë në Angli me Çelsin.
Këtë herë duket se do të jetë ndryshe.
Gjithsesi, njeriu I mësuar me kupa të shumta nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe do të kërkojë shpenzime më të mëdha nga aksionerët dhe drejtuesit e klubit.
Ibrahimoviç, Lukaku, Pogba, Mata apo Matiç për momentin duken pak dhe Junajtid rrezikon edhe një vend në Champions, pasi Çelsit, Liverpuli e Totenhemi janë afruar në renditje.
Sidoqoftë, në përballjen ndaj Bërnlit, portugezi mori edhe sinjale pozitive, pasi ekipi i tij reagoi pasi u ndodh në dizavantazh të dy golave, shënuar nga Eshli Barns dhe Stiven Defur.
Xhesi Lingard ishte autor i të dyja rrjetave, pas pushimit, kur vendasit ushtruan presion të madh.

Mançester Junajtid fare mirë mund ta kishte fituar ndeshjen, dhe Murinjo pati të drejtë që u ankua për mungesën e fatit.
Shumë raste u humbën, por gjithsesi një ekip që pretendon titullin dhe që ka shpenzuar 350 milionë euro në 18 muaj për të marrë yje, nuk mund të gabojë në kaq shumë ndeshje dhe të marrë të paktën një pikë në minutën e fundit./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Bledar Kuka

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!