Zhgënjejnë Milani e Roma

schedule13:06 - 26 Gusht, 2019

schedule 13:06 - 26 Gusht, 2019

Zhgënjim i madh për tifozët e Milanit pas humbjes në fushën e Udinezes. Trajneri Xhampaolo deklaron se do të ndryshojë skemën, menjëherë pas ndeshjes së parë në Serinë A.

Pritshmëria ishte e madhe dhe nuk dihet nëse zhgënjimi duhet të vijë kaq shpejt. Milani e Roma dështuan në javën e parë të Serisë A, sidomos skuadra e madhe nga Lombardia, duke u mundur në fushën e Udinezes.

Jo vetëm humbi tri pikët pas golit të shënuar nga debutuesi Rodrigo Bekao, por nxorri blof trajnerin gjithashtu debutues, Andrea Xhampaolo. Milani nuk arriti të realizonte asnjë gjuajtje në portë në 90 minuta e më shumë, diçka që as nuk mund të mendohej, ndonëse luante jashtë fushe, në stadiumin “Friuli” të Udines.

Tekniku kuqezi u duk si një nxënës i papërgatitur për fillimin e shkollës.

Përtej rezultatit, – tha ai, – ndeshja më dha informacion të rëndësishëm se çfarë mund të bëjë skuadra, dhe çfarë jo. Zotërimi i topit duhej të kishte pasur zhvillim më të mirë ofensiv, por për shkak të karakteristikave të interpretuesve, nuk ia dolëm. Skema 4-3-1-2 nuk bën për sulmuesit tanë. Ndoshta 4-3-3? Duhet punuar për të, por mund ta kemi që në ndeshjen e radhës”.

Një spektakël si në kohën e Zemanit ishte Roma e trajnerit Fonseka. Ndaj Xhenoas u luajt një ndeshje shumë e bukur në “Olimpiko”, por me një rezultat që nuk i kënaqi tifozët vendas.

Barazim 3-3, me golat e kryeqytetasve shënuar nga Xhengiz Ynder, Edin Xheko dhe Aleksandar Kolarov. Gjithsesi, gjenovezët u përgjigjën në çdo rast, duke marrë pikën falë rrjetave të Pinamontit, Krishitos dhe Kuamesë.

“Ne luajtëm shumë mirë në fazën sulmuese, – deklaroi Fonseka, – ashtu siç kam premtuar, dominuam lojën, por duhet të gjejmë ekuilibër, pra të jemi më të sigurt në mbrojtje. Duhet të analizojmë ndeshjen dhe të përgatitemi më mirë për derbin”.

Po Atalanta, surpriza e sezonit të kaluar?

Në një derbi shqiptarësh mes Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit, skuadra nga Bergamo fitoi 3-2 më fushën e Spalit, me një përmbysje të madhe. Vendasit arritën në 2-0 me Di Françeskon e Petanjën, por miqtë nuk u dorëzuan dhe reaguan fort.

Gosens e dy herë Luis Muriel ishin autorët e golave të suksesit. Më i miri në fushë ishte portieri i Spalit, Etrit Berisha, ish-portier i Atalantës, me notën 6.9 nga “La Gazeta delo Sport”.

Ai bëri pritje shpëtuese, dhe ish-trajneri i tij, Gasperini, pati fjalë lavdërimi.

“Më vjen mirë për fitoren, ishte e merituar, – tha ai, – më vjen mirë edhe për Etritin që luajti një ndeshje të madhe. Nëse nuk do të kishte qenë ai, do të kishim fituar më lehtë”.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Lacio triumfoi 3-0 në fushën e Sampdorias, Bresha fitoi në Kaljari 1-0, Torino mundi 2-1 Sasuolon dhe Verona-Bolonja përfundoi barazim 1-1./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!