E dha sërish atë paraqitje që pritej prej tij.
Edon Zhegrova është padyshim një yll i madh në kampionatin francez, dhe i tillë po tregohet edhe në Europë.
Një gol i tij ndihmoi Lilën që të fitonte 2-0 ndaj çekëve të Sllavias së Pragës, dhe të hidhte një hap të madh drejt fazës së grupeve në Champions.
Sulmuesi i Kosovës jo vetëm që realizoi shumë bukur për 2-0, por edhe ishte njeriu që filloi aksionin e rrjetës së parë.
“L’Ekip” i kushton kopertinën, dhe Zhegrova bëhet shqiptari i parë i Kosovës që meriton diçka të tillë.
“Yjet që bien në sy”, është titulli i të përditshmes së madhe franceze.
Zhegrova padyshim që mund të luajë në një skenë më të madhe, dhe për të është e interesuar Roma.
Klubi i shquar i Serisë A italiane do të humbasë yllin kryesor, Paulo Dibala, I cili do të kalojë në Arabinë Saudite, dhe ndër emrat në listën e trajnerit De Rosi është shqiptari 25-vjeçar.
Emri i tij për tek Roma doli fillimisht që në majin e këtij viti dhe tani po përflitet përsëri.
Nuk dihet sesa do të kërkonte Lila për një sulmues, vlera e të cilit në treg është 25 milionë euro.
Për të pasur një ide më të saktë, mjafton të themi se vetë klubi francez pagoi 7 milionë euro për ta marrë nga Bazeli, edhe pse në atë kohë kartoni i Zhegrovës kushtonte vetëm 2 milionë euro.
/abcnews.al