Në Gjykatën e Posaçme të Apelit po vijon procesi për Festim Bexhdilin, i akuzuar për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të 2020-të .
Bexhdili, që punonte si mirëmbajtës i kompleksit “Golden rezort ” në Shijak, atje ku dyshohet se u mbajt peng dhe më pas u zhduk Prenga, pretendon se nuk është i përfshirë në ngjarjen e rëndë.
Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar rishikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë pasi sipas tij nuk e provojnë përfshirjen direkte të klientit të tij në rrëmbimin apo zhdukjen e trupit të Prengës.
Rigjykimi në Apel zhvillohet, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që prishi dënimin me burgim të përjetshëm për Bexhdilin dhe e ktheu çështjen edhe njëherë për shqyrtim në Apel. Në seancën e së enjtes, Aldo Majnishta është shoqëruar në gjykatë për t’u marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.
Ai është përmendur nga Prokuroria e Posaçme si një nga personat që, së bashku me Bexhdilin, ka ndihmuar në zhdukjen e trupit të viktimës. Ndërsa prokurorët posaçëm deklaruan se Bexhdili së bashku me Aldo Majnishtën kanë nxjerrë trupin nga bagazhi i një makine Mercedes dhe e kanë mbështjellë me qese të zeza . Më pas automjeti largohet nga garazhi i ‘Golden Resort’ dhe Bexhdili është larguar me disa persona të tjerë për tu rikthyer sërish aty.
Të enjten u shoqërua në seancë për të dhënë dëshminë edhe Aldo Majnishta që akuzohet si një nga personat që rrëmbeu Prengën në Kamëz, por refuzoi të japë sqarime. Në seancë nuk u paraqit as Dritan Rexhepi për të cilin gjykata urdhëroi shoqërimin e detyrueshëm. Rexhepi akuzohet nga prokuroria se është financuesi dhe urdhëruesi i rrëmbimit të Prengës.
/abcnews.al/