Zhdukja e Jack Ma dhe rreziqet e të bërit biznes në një autokraci

schedule17:55 - 18 Janar, 2021

schedule 17:55 - 18 Janar, 2021

Nga Frida Ghitis “World Politics Riview

Hera e fundit që miliarderi më i famshëm i Kinës, Jack Ma, u pa në publik ishte tetori i vitit të shkuar. Ishte një paraqitje që nuk i pëlqeu aspak regjimit në Pekin. Themeluesi i gjigantit të tregtisë elektronike “Alibaba”-një lloj Jeff Bezos kinez – mund të jetë bërë shumë i  fuqishëm për Partinë Komuniste Kineze, e cila mund të ketë vendosur se ka ardhur koha që jo vetëm t’i mbyllë gojën dhe të kufizojë fuqinë e tij, por njëherazi t’i dërgojë një mesazh kritikëve të tjerë të mundshëm që kanë pasuri dhe ndikim.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Kina ka përdorur taktika shtypëse për të mbajtur nën kontroll elitat. Dhe as hera e parë që një regjim shtypës, përdor taktika mafioze për të gjunjëzuar njerëz që janë bërë shumë të pasur, shumë me ndikim – dhe mbase shumë komodë.

Ne e kemi parë këtë vitet e fundit në Rusi, Arabinë Saudite dhe gjetkë. Ma, foli për herë të fundit publikisht në Samitin e Bund, një konferencë financiare në Shangai më 24 tetor 2020. Para një audience që përfshinte zyrtarët e lartë të qeverisë kineze, ai foli për listën e planifikuar të aksioneve të Ant Group, që do të ishte më i madhi jo vetëm në historinë e Kinës, por “më i madhi në historinë e njerëzimit”, tha ai.

Por Ma kritikoi gjithashtu Kinën, duke thënë se sistemi bankar në vend operon me mentalitetin e vjetër të kolateralit dhe garancive për të marrë kredi. Thirrja për një reformim të sistemit bankar tingëllon si diçka e butë për veshët demokratikë, por problemet e tij filluan menjëherë pas kësaj kërkese.

Brenda disa ditësh nga fjalimi, entet rregullatore njoftuan se oferta fillestare publike e Ant Group në bursat e Shangait dhe Hong Kong ishte pezulluar. Autoritetet më pas hapën një hetim anti-monopol kundër “Alibaba”. Vetë Ma u thirr për t’u marrë në pyetje nga Komisioni Rregullativ i Letrave me Vlerë.

Aktualisht është e paqartë se çfarë ka ndodhur apo se ku është ai. Televizioni amerikan CNBC ka raportuar se ai ka“mbajtur një profil të ulët”. Nëse historia ka ndonjë precedent, Ma mund të rishfaqet si i ndëshkuar, ashtu si biznesmenë të tjerë kinezë,që u shfaqën në rolin e tyre pasi u zhdukën për një fare kohe nga autoritetet.

Zhdukjet e biznesmenëve kinezë, janë bërë jo më pak ogurzeza edhe pse janë shndërruar gati në një rutinë. Disa prej tyre rikthehen në aktivitetin e tyre, disa të tjerë asnjëherë. Xiao Jianhua, një miliarder kinezo-kanadez, u rrëmbye në vitin 2017, dhe që atëherë askush nuk ka informacion për të.

Guo Guangchang, një investitor që ndonjëherë etiketohej si Warren Buffett i Kinës, u zhduk për disa ditë në vitin 2015. Kur u rishfaq në publik, tha se ishte “duke ndihmuar në disa hetime të caktuara” që kishin nisur autoritetet kineze.

Yim Fung, një miliarder i tregtisë së letrave me vlerë, u zhduk gjithashtu për rreth një muaj në vitin 2015. Shumë zhdukje dhe një numër vdekjesh të parakohshme, kanë tërhequr vëmendjen e figurave të fuqishme kineze. Kohët e fundit, Lin Qi, një manjat 39-vjeçar i industrisë së video-lojërave, u gjet i vdekur në Shangai. Thuhet se u helmua.

Është e pamundur të dihen autorët dhe motivet që qëndrojnë pas secilit prej këtyre incidenteve. Megjithatë, modeli kinez u ngjan skemave të njëjtave dhe zhdukjeve të ngjashme në vende të tjera autoritare, udhëheqësit e të cilëve ua kanë bërë të qartë qytetarëve të tyre më të pasur se ata mund të gëzojnë prosperitetin e tyre – por se regjimi gjithashtu mund t’ua marrë pasurinë, madje edhe jetën e tyre, në rast se i konsideron ata një kërcënim potencial.

Modeli më famëkeq është ai i Rusisë,sapo Vladimir Putin u zgjodh president. Në vitin 2000, Putini thirri oligarkët e vendit në një takim paralajmërues, duke ua bërë të qartë se ata mund të mbanin pasuritë e tyre – të fituara gjatë privatizimeve të dyshimta të ish industrive sovjetike në vitet 1990 -vetëm nëse bashkëpunonin me të.

“Ne morëm konfirmim se privatizimet nuk do të rishikohen”-tha pas takimit i lehtësuar Mikhail Khodorkovsky, në atë kohë njeriu më i pasur i vendit, me një pasuri prej 15 miliardë dollarësh nga industria e naftës. sMë pak se 3 vjet më vonë, në vitin 2003, Khodorkovsky guxoi qëtë ankohej për korrupsionin në rritje të administratës shtetëror gjatë një takimi televiziv me Putinin.

Para fundit të atij viti, ai u arrestua me akuzat për korrupsion dhe u mbyll në burg. Autoritetet tatimore e plaçkitën kompaninë e tij të naftës “Yukos”, duke e zhdukur praktikisht nga tregu. Kodorkovski kaloi një dekadë të jetës së tij në një burg në Siberi, para se të largohej nga Rusia për në Zvicër, dhe më pas në Londër.

Edhe oligarkëve të tjerë rusë, u është dashur të zgjedhin midis mërgimit dhe bashkëpunimit me Putinin. Edhe të mërguarit, thonë se e dinë se janë nën mbikëqyrje nga një makineri shtetërore që dihet se mund të vrasë edhe në një vend të huaj. Lista e kritikëve të Putinit që janë përballur me vdekje të parakohshme është e gjatë, dhe përfshin gazetarë, politikanë dhe figura të njohura të biznesit.

Boris Berezovsky, një nga oligarkët kryesorë që ndihmoi Putinin të ngrihej në pushtet, por që u shkëput shpejt prej tij kur pa autoritarizmin e tij të ashpër,u largua nga Rusia në fund të vitit 2000 pasi u thirr të merrej në pyetje nga prokurorët e shtetit.

Ai jetoi në Angli deri në vitin 2013, ku u gjet i vdekur në banjën e tij. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte vetëvrasja. Por pas një hetimi, mjeku ligjor deklaroi se nuk mund t`a shpjegonte plotësisht vdekjen e Berezovskit. Misteret rrethojnë që të gjitha këto raste, dhe ky është thelbi i mesazhit që përçojnë ato:Janë një paralajmërim për këdo që do të guxonte t’i rezistonte regjimit në Pekin apo Moskë.

Për shkak se pasuritë e tyre u krijuan nën rrethana të diskutueshme, në një mjedis të mbushur me korrupsion, manjatët e biznesit në një autokraci janë më të prekshëm ndaj akuzave se ata kanë shkelur ligjin – por me sa duket, vetëm kur autoritetet vendosin t`a zbatojnë atë, dhe kjo ndodh shpesh për qëllime politike.

Kjo do të thotë gjithashtu që ushtrimi i presionit mbi milionerët dhe miliarderët, është shpesh një veprim populist fitues për një udhëheqës që përpiqet të grumbullojë pushtet. Në Arabinë Saudite, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman e konsolidoi në mënyrë të qëndrueshme pozicionin e tij si sundimtari de fakto i vendit kur babai i tij, Mbreti Salman, u ngjit në fron në vitin 2015.

Ngjarja më dramatike ndodhi në vitin 2017, kur ai nisi një goditje dramatike ndaj korrupsionit,dukuri shumë e përhapur në familjen mbretërore. Ai mblodhi qindra figura të shquara saudite, përfshirë princër të njohur dhe mbretër të tjerë.

Të arrestuarit u mbajtën në hotelin Ritz-Carlton në Riad, dhe të gjithë u detyruan t’i dorëzonin shtetit një pjesë të pasurisë së tyre. Buxheti i qeverisë mori një fluks të madh fondesh, por pasuria më e vlefshme që u dorëzua ishte pushteti. Më atë lëvizje, ai u përçoi mesazhin se asgjë nuk do ta ndalte rrugën e ngritjes së tij në krye të vendit.

Në zemër të gjitha këtyre lëvizjeve janë sunduesit e pamëshirshëm, të gatshëm t’i lejojnë të pasurohen njerëzit nën sundimin e tyre, por jo të gatshëm të tolerojnë çdo lloj sfide ndaj autoritetit të tyre absolut. Ky është leksioni që Jack Ma, nëse është ende gjallë, po merr tani nga udhëheqja komuniste kineze. “Ju mund të jeni shumë i pasur, por nuk jeni aq i fuqishëm sa mendoni. Kujdes me fjalët që nxirrni nga goja. Kujdes veten!” / Nga Alket Goce për abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!