LIBRAZHD- Pas dhjetë ditësh bllokim, rajoni juglindor pritet t’i kthehet normalitetit në mesditë. Në rrugën provizore Librazhd-Prrenjas, autoritetet përkatëse aktualisht po kryejnë testet e fundit për të matur fortësinë e rrugës.
Testimi i modulit të deformimit po kryhet përmes pllakës së ngarkesës, e cila verifikon aftësinë e shtresave rrugore përpara hapjes së qarkullimit.
Gazetarja e ABC News, Kasandra Pali, raporton se krahas pajisjes për matjen e fortësisë, në aksin provizor po qarkullojnë kamionë të ngarkuar me një peshë rreth 40 tonë.
Sipas ARRSH, qarkullimi i automjeteve në këtë rrugë provizore do të nisë në orën 12:00.
Segmenti thotë ARRSH do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar./abcnews.al


