“Zgjohen” Denver dhe Jokic/ Ish-kampionët e NBA arrijnë një tjetër fitore, kapiteni shkëlqen me 30 pikë, 11 topa në tabela, 14 asistë

schedule15:26 - 9 Nëntor, 2024

schedule 15:26 - 9 Nëntor, 2024

Më herët i dhanë fund serisë së Oklahomës.

Yjet e Denverit nuk u mjaftuan me aq, por arritën fitoren e tretë radhazi në sezonin e basketbollit amerikan, duke u konfirmuar si pretendentë për titull.

Kampionët e vitit 2023, që dështuan papritur në plej ofin e kaluar, triumfuan 135-122 ndaj Majemit, dhe kapiteni i tyre, Nikola Jokiç, pati një tjetër ndeshje për t’u mbajtur mend.

Ylli ballkanas ishte 40 minuta në parket dhe shënoi 30 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 14 asistë.

Një tjetër tripëll dabëll, i treti radhazi dhe i 135-ti në karrierë.

Jo vetëm kaq, por Jokiç arriti gjithçka me një mesatare të gjuajtjeve nga loja 84 për qind.

Ai u bashkua me legjendën Uilt Çembërlen si të vetmit që kanë pasur tripëll dabëlla me saktësi në gjuajtje 80 për qind e më shumë.

Basketbollisti serb ka mesatare tripëll dabëlli për gjithë sezonin, siç kanë bërë më parë vetëm yje të tillë si Oskar Robertson dhe Rasëll Uestbruk, që tani është shok skuadre me të.

Denveri ishte më i fortë edhe me rikthimin nga dëmtimi të talentit tjetër, Xhamal Marrej, ndërsa tani është në vendin e pestë në Perëndim me 6 fitore e tri humbje, jo larg Feniksit dhe Oklahomës që kryesojnë. /abcnews.al