Zllatan Ellek është zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re, sipas REL. Ellek ushtron detyrën e drejtorit të Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.
Ndryshimet në lidershipin e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë vijnë pak kohë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Pak ditë më vonë, Milan Radoiçiç dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, pasi mori përgjegjësinë për këtë sulm. Për këtë ngjarje ai po hetohet në Kosovë dhe Serbi./abcnews.al