Zgjidhet kriza e komunitetit Rohingia

schedule13:51 - 16 Janar, 2018

schedule 13:51 - 16 Janar, 2018

Refugjatët e komunitetit Rohingia në Mianmar, të zhvendosur për shkak të dhunës ushtarake të vitit të kaluar, do të mund të riatdhesohen. Rasti në fjalë mori përmasa ndërkombëtare pas heshtjes së fitueses së çmimit Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi.

Disa qindra mijëra refugjatë të komunitetit Rohingia, të cilët u zhvendosën nga Mianmari në Bangladesh vitin e kaluar për shkak të një ofensive ushtarake, do të mund të riatdhesohen në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar mes dy vendeve. Mianmari ka rënë dakord të pranojë çdo javë rreth 1.500 refugjatë dhe në bazë të ujdisë së arritur pritet që riatdhesimi të përmbushet brenda dy vjetëve. Ndërkohë, agjencitë humanitare kanë ngritur dyshime mbi kushtet e riatdhesimit, duke deklaruar se procesi nuk duhet të jetë i imponuar. Një zëdhënës i UNHCR-së ka thënë se Mianmari duhet të zgjidhë edhe shkaqet e krizës që çuan në largimin e komunitetit, i cili sipas tij duhet të kthehet vetëm atëherë kur të ndihet i sigurtë. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, marrëveshja nuk saktëson se kur do të nisë kthimi, por thotë se Mianmari do t’u ofrojë atyre fillimisht strehim të përkohshëm dhe më vonë do të ndërtojë banesa për ta. Mbi 650 mijë Rohingia u zhvendosën në Bangladesh pas shpërthimit të akteve të dhunës në shtetin Rakhine, në gusht të vitit të kaluar. Në bazë të marrëveshjes, brenda dy viteve do të riatdhesohen rreth 156 mijë prej tyre, ndërkohë që pjesa tjetër ka siguruar strehim në vendin fqinj. Rasti i këtij komuniteti mori përmasa ndërkombëtare kur dhuna e ushtruar hasi në heshtjen e lideres së Mianmarit, Aung San Suu Kyi, fituese e çmimit Nobël për Paqen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!