Fronti opozitar i Kosovës është zgjeruar para zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka njoftuar një koalicion parazgjedhor me Nuredin Lushtakun, lider i “Listës Ideali”.
“Sot zyrtarisht e konfirmojmë që koalicionit tonë iu bashkua edhe Lista Ideali, e udhëhequr nga gjenerali Nuredin Lushtaku. Një shqiptar i zoti, luftëtar i hershëm. Ka mbajtur edhe funksione publike, ka qenë komandant i gardës në Ushtrinë e Kosovës e po ashtu edhe deputet në një kohë të caktuar”, tha Haradinaj.
Ndërkohë Lushtaku ka theksuar se ka ardhur koha që vendin ta udhëheqin njerëz që kanë dhënë për vendin, e jo njerëz që e kanë gjetur gjithçka gati dhe tani po mundohen ta shfrytëzojnë qytetarët e shtetin.
“Jam i lumtur që jam në mesin e këtyre dy burrave që nuk e kanë ndaluar asnjëherë kontributin për shtetin e Kosovës. Kemi kaluar shumë mirë me një bashkëpunim të sinqertë. E dimë vlerën e njëri-tjetrit. Mendojë se Kosovës i ka ardhur koha që të udhëhiqet nga njerëz që kanë dhënë për vendin e jo ata që e gjetën të gatshëm”, theksoi Lushtaku.
Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes mes partive, theksoi se qytetarët e Kosovës tashmë kanë mundësinë të jenë të përfaqësuar.
“Koalicioni jonë tashmë është kthyer në bosht të personaliteteve me bagazh të cilët në jetën e tyre kanë vepra më shumë se fjalë, andaj qytetarët e Kosovës tanimë e kanë rastin që të përfaqësohen denjësisht pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit.”, shtoi Limaj.
Pjesë e koalicionit opozitar për zgjedhjet e 9 shkurtit janë Alanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, dhe zyrtarisht u bashkua edhe Lista Ideali./abcnews.al