Qeveria izraelite ka nisur ndërtimin e një numri vendbanimesh hebraike në Bregun Perëndimor. Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Izraelit që të mos bëjë përpara me këto plane.
Vendbanimi Givat Harel u ndërtua në periferi të Bregut Perëndimor pranë vendbanimit tjetër Eli, ku persona të armatosur palestinezë vranë katër izraelitë muajin e kaluar.
Pjesë e përgjigjes së qeverisë izraelite ndaj sulmit terrorist ishte njoftimi se ky dhe vendbanime të tjera aty pranë do të legalizoheshin dhe se mijëra shtëpi të reja do të ndërtoheshin në Bregun Perëndimor, të cilin izraelitët e quajnë Judea dhe Samaria.
“Në Jude dhe Samari sot jetojnë gjysmë milioni hebrenj. Do të punojmë shumë për ta dyfishuar numrin e tyre në 10 vjet. Ne kemi një plan urbanistik për ndërtimin e më shumë se 20 mijë apartamenteve”, tha guvernatori i rajonit të Binjaminit, Israel Ganz për Zërin e Amerikës.
Që nga formimi i saj gjashtë muaj më parë, qeveria e vijës së ashpër në Izrael ka njoftuar planet për zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor, të ndërtuara mes afro tre milionë palestinezëve që thonë se ky është territor i shtetit të tyre të ardhshëm.
Ministri izraelit i Financave nga ekstremi i djathtë, Bezalel Smotrich, i cili gjithashtu ka autoritet mbi vendbanimet brenda Ministrisë së Mbrojtjes, është zotuar të rrisë ritmin e ndërtimeve dhe ka bllokuar pothuajse plotësisht urdhrat për prishjen e vendbanimeve të paligjshme, thuhet në një raport të fundit të gazetës izraelite “Haaretz”.
Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir u bëri thirrje izraelitëve që t’i përgjigjen sulmeve terroriste duke ndërtuar vendbanime të reja kudo që të munden.
“Ne ju mbështesim. Ndërtoni ku të dëshironi”, tha ai.
Komuniteti ndërkombëtar thotë se ndërtimi i këtyre vendbanimeve ndez më tej tensionet tashmë të larta nga ndërhyrja e forcave izraelite në Xhenin.
“Unë mbetem thellësisht i shqetësuar nga zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, që nxit dhunën dhe pengon qasjen e palestinezëve në tokën dhe burimet e tyre, duke ndryshuar gjeografinë e Bregut Perëndimor dhe duke kërcënuar mundësitë zhvillimore të shtetit të ardhshëm palestinez”, tha Tor Wennesland, koordinator i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme.
Por izraelitët thonë se zhvillimi i kësaj zone duhet parë në të njëjtën mënyrë si ai në pjesën tjetër të Izraelit.
“Në këtë zonë kanë jetuar paraardhësit tanë. Është pjesë e Tokës së Izraelit. Njerëzit jetojnë këtu në të njëjtën mënyrë si ata në Tel Aviv, Hadera dhe Tzfat. Dhe kur ke jetë, ke zhvillim. Njerëzit këtu kanë fëmijë dhe ne duhet të zgjerohemi”, thotë Raful Engel, Zëvendës Guvernator i rajonit të Binjaminit.
Kolonët hebrenj thonë se kjo qeveri izraelite ka qenë më miqësore ndaj kauzës së tyre se çdo qeveri e mëparshme. Ata shpresojnë se politikat e ekstremit të djathtë do t’i japin fund bisedimeve për tërheqjen e Izraelit nga Bregu Perëndimor, për t’i hapur rrugën krijimit të një shteti palestinez. /VOA