Futet në fuqi zgjerimi me 12 milje në Jon, Greqia: E kemi të drejtën tonë! “Vlon” debati në Tiranë

schedule19:12 - 27 Dhjetor, 2020

schedule 19:12 - 27 Dhjetor, 2020

Hyn në fuqi dekreti presidencial i Greqisë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Ministria e Jashtme greke ka lëshuar një deklaratë në faqen zyrtare mbi dekretin presidencial që u miratua dy ditë më parë dhe që ka ngjallur debat të fort politik në Shqipëri. Ministria e Jashtme e vendit fqinj e cilëson vendimin për zgjerimin me 12 milje si të drejtë të patjetërsueshme.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për hyrjen në fuqi sot të Dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe ndërtimin e vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe Ishujt në Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez.

Dekreti Presidencial u lëshua në përputhje me ligjin ratifikues të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit. Është një hap i domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në zonën e mësipërme, veprim i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit.

Dekreti i Presidentit thekson se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj, pasi ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit, e cila pasqyron të drejtën ndërkombëtare.

Greqia është e vendosur në mënyrë rigoroze për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ligjin e detit dhe gjithmonë vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” mbyllet deklarata.

Dy ditë më parë zyrtarisht Greqia njoftoi zgjerimin me 12 milje në detin Jon duke shkaktuar reagim në Tiranë me akuza kundër qeverisë Rama për shitjen e detit. Partia Demokratike dje i bëri 6 pyetje Edi Ramës duke kërkuar transparencë.

Përse qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë transparencë në lidhje me negociatat për ndarjen e kufijve ujorë me Greqinë, megjithëse negociatat për këtë qëllim kanë ri-filluar që më 2013?

Cilët janë elementët që janë negociuar, ne lidhje me çfarë është rënë dakord dhe çfarë nuk është rënë dakord?

A është diskutuar ndonjëherë në këto negociata ideja që qeveria greke t’i shtrinte ujërat e veta territoriale nga 6 ne 12 milje? Nëse po cili ka qenë qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë pikë?

A e vendos Shqipërinë kjo shtrirje nga pala greke e detit territorial në 12 milje, në një pozitë më pak të favorshme negociuese?

A ka analizuar qeveria shqiptare pasojat juridike dhe të tjera të kësaj shtrirjeje për të cilën mediat kanë raportuar prej kohësh?

Nëse ky zgjerim e vendos Shqipërinë në një pozitë më pak të favorshme, a duhet që qeveria shqiptare të paraqesë rezervat e saj lidhur me këtë zgjerim si dhe me aspekte të tjera që përkeqësojnë pozitat e Shqipërisë?“.

Por si iu përgjigj Edi Rama opozitës? “Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! 

Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë” tha kryeministri, ndër të tjera. Debati vazhdon…/ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!