Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi masat e reja qe do të zgjeroheshin në disa drejtime.
Nga sot është zgjeruar harta e zonave jeshile siç janë bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë dhe Selenicë.
Ndërkohë po nga sot do të lëviznin taksitë me dy pasagjerë familjarë në të gjithë territorin.
Nga sot do të lëviznin edhe të gjithë automjetet, brenda qarqeve dhe fashave orare 5:00-17:30, ndërsa përtej këtij orari mund të lëviznin vetëm automjetet që kanë autorizim.
Siç raporton gazetarja Xhensila Kodra për ABC News, të gjithë automjetet duhet të kenë kryer aplikimin në portalin e-albania për të marrë autorizimin e lëvizjes.
Po ashtu të gjithë personat që do të riatdhesohen do të karantinoren në banesat e tyre për 14 ditë duke ruajtuar distancën nga familjarët dhe në kushte të rrepta monitorimi nga institucionet shëndetësore.
Por masat liruese kanë bërë që ditën e sotme të rikthehet trafiku në Tiranë. Siç shihet në foto, e cila i përket zonës së unazës së re në zonën e Astirit gjithë automjetet kanë filluar të lëviznin duke iu rikthyer radhëve të gjata të trafikut në kryeqytet.
Masat liruese do të vazhdojnë edhe më tej duke filluar nga e hëna e 11 majit ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberët, dentistët dhe dyqanet në qendra tregtare, të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se këto masa liruese mund të kufizohen përsëri, në rast se situata me epideminë do të ndryshojë negativisht./abcnews.al