Zgjerim me 12 milje, çfarë thotë Athina për negociatat me Tiranën

schedule16:36 - 3 Janar, 2019

schedule 16:36 - 3 Janar, 2019

Pavarësisht heshtjes së muajve të fundit, Greqia duket se nuk heq dorë nga ambiciet e saj për të finalizuar marrëveshjen e detit me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm alternativ i shtetit helen ka deklaruar se Greqia do shpallë zgjerimin me 12 milje të ujërave territoriale në detin Jon.

Greqia do të shpallë zgjerimin në 12 milje të  ujërave territoriale në detin Jon, brenda këtij viti. Deklarata është bërë nga ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Jorgos Katrougalos. I pyetur gjatë një interviste radiofonike nëse mbetej në fuqi deklarata e ish ministrit të jashtëm Nikos Kotzias për 12 miljet, Katrougalos është përgjigjur: “Sigurisht që mbetet në fuqi, do ta bëjmë duke filluar nga deti Jon. Do të bëhet brenda mandatit të qeverisë aktuale, deri në Tetor 2019”.

Numri dy i diplomacisë greke u është referuar sërish negociatave të bllokuara me Shqipërinë.

“Përafrimi ynë me Shqipërinë kishte avancuar jashtëzakonisht shumë, në gjithë çështjet për të cilat po negociohej. Dhe aty ku prisnim që të kishim kurorëzimin e asaj ecurie të mirë, në kremtimin e 28 Tetorit, patëm ngjarjen shumë të trishtë me Kacifasin. Që nga ai moment, për arsye që për mendimin tim, më shumë lidhen skenën politike të brendshme, kishim ftohjen e klimës që ndërkaq besoj se është krejtësisht e riparueshme. Përpjekja jonë është pikërisht që ta rikthejmë nivelin e negociatave aty ku ishte dhe të avancojmë për zgjidhjen përfundimtare të problemeve”, tha ai.

Katrougalos ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e Greqisë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Por ka përsëritur gjithashtu edhe kushtin për respektimin e vlerave europiane, duke e lidhur këtë përsëri me Shqipërinë.

“Kjo për Shqipërinë nuk do të thotë vetëm ndryshime në shtetin e së drejtës, do të thotë edhe mbrojtje e minoritetit tonë. Rrjedhimisht, fenomene si të kohëve të fundit, që në fakt janë shtetëzime të pronave të minoritarëve në zonën e Himarës, janë gjëra që vendi fqinj duhet t’i rishikojë”, ka thënë Katrougalos gjatë një interviste radiofonike në portalin News24/7./abcnews.al