Në studion e Abc News, kreu i PPA, njëherësh aleat i të djathtëve, Agron Duka ka kremtuar arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.
Duka ka shprehur rezervat se do të dëshironte një reformë më të plotë, ku përfshihet edhe ndryshimi i sistemit. Megjithatë siç thotë ai është e rëndësishme që është arritur një konsensus dhe pikat e firmosura nga të dyja palët japin të dyja palët.
“Nëse do ishte reformë e plotë, do ishte mirë që të kishim edhe një sistem tjetër, ku të kishte elementë mazhoritar, me lista të hapura. Një gjë e tillë nuk u realizua, megjithatë është e rëndësishme që u arrit një konsensus. Disa pika që u firmosën nga të dyja palët japin shpresa që mund të kemi zgjedhje të standardeve më të mira, siç është ajo e identifikimit biometrik. Kjo është një garanci, nuk themi se zgjidh të gjitha problemet e zgjedhjeve.
Tjera që u arrit është të mos bëhen komisionet zgjedhore të depolitizuara. Faktikisht ne kemi një administratë zgjedhore që po tentojmë ta depolitizojmë, por realisht nuk ndodh kështu. Kur ndryshojnë kahet politikë zëvendësohet administrata.
Megjithatë nuk është zgjidhje përfundimtare, sepse edhe këto komisione kanë problemet e veta. E rëndësishme është që nuk u la që të bënte atë që tentoi Rama, që të merrte njerëz nga administrata që i kishte në varësi të tij. Ndryshon edhe KQZ, nuk është kjo por zgjidhet një kryekomisioner nga mazhoranca dhe një nën tij nga opozita”, tha Duka.
Kreu i PAA shton më tej se arritja e kësaj marrëveshje nuk dot përçajë opozitën, madje ndikon në bashkimin e saj.
“Sa i përket opozitës ka një mesazh më të bashkuar. Nuk është se ka ndodh ndonjë gjë e madhe se opozita e bashkuar ka qenë, ka pas mendime të kundërta brenda vetes. Por kjo që u vendos nuk ndikon në përçarjen e opozitës, por në bashkimin e saj. Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë parti. Ky front opozitar ka pakënaqësi nga qeverisja Rama. Të gjitha këto parti opozitare duhet të bëjë aleat edhe qytetarin”, ka thënë ai.
Lidhur me qeverinë kujdestare, Duka tha se vijon ende si kërkesë e opozitës, pasi puna për reformën vijon ende. Duka ka hedhur kështu poshtë deklaratën e Damian Gjiknurit, i cili u shpreh se opozita hoqi dorë sipas tij nga kërkesat absurde.
“Jo nuk është se ka përfunduar. Vijon ende si kërkesë e opozitës vijon ende. Mund edhe të mos realizohet, por si kërkesë e opozitës është. Pyetja juaj mund të ishte nëse nuk pranohet kjo kërkesë…unë mendoj se ne duhet të hyjmë në zgjedhje sidoqoftë edhe nëse pranohet. Është shumë e rëndësishme të pranohet. Por edhe nëse nuk bëhet unë mendoj, do jetë kosto negative për mazhorancën aktuale”, tha Duka. /abcnews.al