Një PD e përçarë, e copëtuar, e paqartë po krijon dhe një opozitë po të tillë, në prag të testit të zgjedhjeve. Dashamir Shehi javën e shkuar krijoi një koalicion të vetin së bashku me Astrit Patozin. Por lëvizjet vijojnë në të njëjtin drejtim edhe nga aleatët e tjerë të PD-së, ndonëse në forma të tjera.
Është Agron Duka me ndikim elektoral në qarkun e Durrësit, që ka zgjedhur të dalë me siglën e vet për 14 majin. “Nuk ka marrëveshje sepse PD ka problemet e veta. Pritet ende kush do të jetë PD zyrtare dhe kush do të regjistrohet në KQZ”, ka thënë Duka.
Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste do të mbetet në opozitë por e shikon të dëmshme nëse lidh koalicion me Berishën apo Metën.
“Në kushtet që është opozita nuk mendoj që na ndihmon një marrëveshje e tillë. Ne do të mbështesim një kandidat. Pa u lidhur as me Metën as me Berishën. Nëse ne do t’i shohim zgjedhjet si administrative, do të mbështesim kandidatin. Kështu kemi më shumë mundësi për të fituar”.
Dhe jo në të gjitha bashkitë, cilido qoftë kandidati, ai do të mbështesë kandidatin e opozitës për kryebashkiak.
“Nuk mundet mua të më diktojë PD, cilado qoftë ajo që ti merru me Skraparin apo Poliçanin apo qytete të tjera.”
Më e pashpresë, madje plotësisht të zymtë paraqet situatën në bashkitë ku PD shkon me dy kandidatë.
“Në qytete që janë majtas, dhe ka dy kandidatët këto janë të pashpresë”, tha ai.
Me këshillën për t’u fokusuar tek bashkitë se sa tek politika e madhe e qendrës, Duka tregoi se fokusi i tij do të jenë parlamentet lokalet, ose këshillat bashkiak.
“PAA do të fokusohet tek këshillat bashkiak për shkak të kodit. Nuk mund të dalësh me një listë ose të dalësh në një koalicion.”
Përveç Durrësit, Agron Duka do të ketë listën e tij me këshilltarë edhe në Lezhë dhe Shkodër, bastionin e demokratëve./abcnews.al