Zgjedhjet për Stambollin, sondazhet nxjerrin fitues kandidatin e opozitës

schedule20:00 - 23 Qershor, 2019

schedule 20:00 - 23 Qershor, 2019

Në Turqi janë mbyllur qendrat e votimit dhe ka nisur numërimi i votave në zgjedhjet e përsëritura për kryetar të Bashkisë së Stambollit. Përveç garës mes dy rivalëve, zgjedhjet përbëjnë një sfidë, edhe për të ardhmen e presidentit Recep Taip Erdoan, dikur kryetar bashkie i Stambollit.

Janë mbyllur qendrat e votimit në Stamboll, ku gjatë kësaj të diele u përsëritën zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë, pasi fitorja surprizë e kandidatit të opozitës në muajin mars u anulua. Ekrem Imamoglu fitoi me 13 mijë vota plus në Mars, duke nxitur partinë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim të pretendonte për parregullësi. Në Stamboll ka nisur numërimi i votave dhe rezultati i parë pritet në orët e vona të mbrëmjes. Kandidati i opozitës është zotuar se do të luftojë për demokracinë dhe sondazhet sugjerojnë se ai do ta mposhtë sërish ish-kryeministrin Binali Ildirim. Sfida ka gjithashtu një rëndësi të veçantë për të ardhmen e presidentit Recep Taip Erdoan. Si ish-kryebashkiak i Stambollit, Erdogan ka deklaruar disa herë se kush merr Stambollin merr gjithë Turqinë. Imamoglu, 49 vjeç, vjen nga radhët e partisë laike Republika Popullore dhe aktualisht është kryetar i komunës Bejlikduzu. Ndërsa kundërshtari i tij, Ildirim ka qenë pjesë e themeluesve të partisë së Erdogan dhe kryeministër nga viti 2016 deri në 2018, kur Turqia u kthye në një republikë presidenciale dhe roli i kreut të qeverisë pushoi së ekzistuari. Ai u zgjodh kryetar i Parlamentit në muajin shkurt dhe më parë ka mbajtur edhe postin e ministrit të Transporteve. Emri i Imamoglu ndërkohë nuk ishte shumë i njohur përpara se ai të angazhohej në garën elektorale të marsit. Parulla e tij elektorale, “gjithçka do të jetë e drejtë” ka sjellë një valë optimizmi në një qytet ku shumë banorë kanë mbetur të zhgënjyer nga kriza ekonomike, për të cilën fajësojnë qeverinë.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!