Zgjedhjet, opozita turke shpall fitoren në Stamboll dhe Ankara

schedule07:05 - 1 Prill, 2024

schedule 07:05 - 1 Prill, 2024

Turqit dënuan presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe partinë e tij të dielën në zgjedhjet lokale mbarëkombëtare, të cilat rikonfirmuan opozitën si forcë politike dhe forcuan pozicionin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu si rivalin kryesor të presidentit në të ardhmen.

Me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, zoti Imamoglu kryeson në garën për kryetar bashkie në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, ndërsa Partia e tij Popullore Republikane (CHP) ruajti pushtetin në Ankara dhe fitoi nëntë poste të kryebashkiakëve në qytetet e mëdha në mbarë vendin.

Analistët thanë se presidenti Erdogan dhe partia e tij AK (AKP), që kanë sunduar Turqinë për më shumë se dy dekada, dolën më keq se sa parashikonin anketat, për shkak të rritjes së inflacionit, votuesve të pakënaqur islamikë dhe në Stamboll, shtrirjes së ndikimit të zotit Imamoglu përtej bazës laike të CHP-së.

“Besimi që qytetarët tanë kanë ndaj nesh, u vërtetua”, tha zoti Imamoglu, 53 vjeç, një ish afarist që hyri në politikë në vitin 2008 dhe tani shihet nga analistët si një sfidues i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Në Ankara, kryeqytetin turk, mijëra mbështetës u mblodhën gjatë natës duke valëvitur flamujt e CHP-së për të ndjekur një fjalim të kryetarit të bashkisë Mansur Yavas, i cili mundi kundërshtarin e tij të AKP-së, në një tjetër goditje për presidentin Erdogan.

Presidenti bëri fushatë të fortë përpara zgjedhjeve komunale, të cilat analistët i përshkruan si një matës si për mbështetjen e tij ashtu edhe për qëndrueshmërinë e opozitës.

“Ne do të analizojmë me zemër të hapur rezultatet e zgjedhjeve të 31 marsit brenda partisë sonë dhe do të bëjmë autokritikën tonë me guxim”, u tha presidenti Erdogan mbështetësve të tij, duke theksuar se “rezultatet e zgjedhjeve na tregojnë se po përjetojmë një humbje të terrenit në administratat vendore në të gjithë vendin”.

Kur janë numëruar 79.77 për qind e kutive të votimit në Stamboll, qyteti më i madh i Evropës me më shumë se 16 milionë banorë, zoti Imamoglu kishte 50.53 për qind mbështetje krahasuar me 40.73 për qind për sfiduesin e AKP-së Murat Kurum, një ish ministër në qeverinë e presidentit Erdogan.

Anketat kishin parashikuar një garë të ngushtë në Stamboll dhe humbje të mundshme të CHP-së në të gjithë vendin. Por, rezultatet e pjesshme zyrtare të raportuara nga agjencia shtetërore Anadolu, treguan se AKP dhe aleati i saj kryesor humbën në garën për kryetarë bashkish në 10 qytete të mëdha, duke përfshirë qytetet Bursa dhe Balikesir në veriperëndimin e industrializuar.

Mert Arslanalp, asistent profesor i shkencave politike në Universitetin Bogaziçi të Stambollit, tha se kjo është “humbja më e rëndë zgjedhore” e presidentit Erdogan që kur mori pushtetin në shkallë vendi në vitin 2002./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!