Në balotazhin e 21 Prillit për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë do të përballen aktori komik Zelenski, i cili ka marrë 30 për qind të votave në raundin e parë dhe presidenti në largim Poroshenko. Por ish kryeministrja Timoshenko nuk i pranon rezultatet e para.
Të dhënat e para zyrtare konfirmojnë rezultatet paraprake të zgjedhjeve zyrtare në Ukrainë. Në 21 Prill në balotazh do të përballen aktori komik Volodimir Zelenski, i cili kryeson me 30.1 për qind të votave dhe presidenti në largim Petro Poroshenko me 16,7%. Në vend të tretë dhe automatikisht jashtë gare është Julia Timoshenko me 13.2 për qind të votave, e cila ka kundërshtuar rezultatet.
Sipas ligjit në Ukrainë, konfirmimi përfundimtar zyrtar jepet brenda dhjetë ditësh pra deri në datën 10 Prill.
Ndër parregullsitë e regjistruara në procesin e votimit, ishte dhe incidenti në Kiev ku në një qendër votimi stilolapsi që u jepej zgjedhësve kishte bojë, e cila mund të fshihej. Por dhe një fshat i tërë në lindje të vendit ka votuar pa paraqitur asnjë mjet identifikimi pasi komisionerët ishin të gjithë në gjendje të dehur dhe deklaruan se i njihnin të gjithë banorët si fytyrë e ndaj nuk kishte pasur nevojë për mjete identifikimi.
Poroshenko nga ana e tij u shpreh se nuk kishte informacione të vlefshme sa për të dyshuar rreth rezultatit të raundit të parë të zgjedhjeve. Por Timoshenko premtoi se do i shkojë deri në fund dhe se numërimi i të gjithë votave do të japë një rezultat ndryshe. Ajo theksoi se në balotazhin e 21 Prillit do të jetë pikërisht ajo liderja e partisë populiste Patria.
Ai që për momentin është i qetë është Zelenski. 15 minuta para mbylljes së qendrave të votimit, ai luante ping pong në selinë e komitetit elektoral, me një bar të mbushur me shampanjë dhe drita neoni. Para gazetarëve, ai u shpreh se ishte i lumtur dhe pse ky nuk ishte rezultati përfundimtar./abcnews.al