Zgjedhjet në Turqi/ Një telenovelë “kërcënon” Erdogan, rrezikon të humbasë mbështetjen e grave

schedule11:39 - 10 Maj, 2023

schedule 11:39 - 10 Maj, 2023

Një “kundërshtar” i papritur duket se do të përballet me Rexhep Tajip Erdogan përpara zgjedhjeve në Turqi të dielën. Arsyeja mesa duket është telenovela Kızılcık Şerbeti dhe heroina kryesore, Nursema.

Siç raporton Politico, Nursema është një myslimane e fortë, inteligjente dhe e devotshme me të cilën miliona gra në Turqi mund të identifikohen lehtësisht me të. “Shikuesit e varur nga telenovelat e Turqisë u habitën kur panë Nursemën të martohej me një burrë ë dhunshëm dhe konservator, i cili tenton ta përdhunojë dhe më pas e shtyn nga dritarja kur ajo reziston.”

Skena ishte aq tronditëse sa drejtuesit e saj u gjobitën dhe telenovela ndaloi përkohësisht transmetimin e serialit në fillim të prillit. Sipas publikimit,  autoritetet thanë se  duhej të ndërhynin për të parandaluar transmetimin ku shfaqen dhunë ndaj grave, por shumë vëzhgues thonë se qeveria ishte e shqetësuar nga mënyra se si u portretizua një familje thellësisht fetare në të cilën gratë nuk kanë aspak ose shumë pak të drejta.

Sipas Politico, mbështetja e grave konservatore ishte vendimtare për ngritjen në pushtet të islamistit Erdogan, pasi për shumë ai ishte një figurë heroike duke pasur parasysh përjashtimin e grave të mbuluara nga shkollat, universitetet dhe vendet e punës, raporton abcnews.al.

Këto janë gratë, sipas artikullit, të cilat, megjithëse ndihmuan Erdoganin të ngrihej në pushtet, tani vënë në dyshim një sërë çështjesh, nga keqmenaxhimi ekonomik e deri te të drejtat e tyre.

Për më tepër, problem për Erdoganin është fakti se ai u bashkua me islamistët ekstremë në prag të zgjedhjeve, një lëvizje që shkakton shqetësim për një ndryshim të mundshëm për mbrojtjen e tyre nga dhuna në familje.

Duke humbur besimin Aysel, e cila është një fanse e madhe e Nursema-s, punon si dado për një familje në Stamboll dhe thotë se ajo mbështeti partinë e Erdoganit që në fillim, por nuk do ta votojë atë këtë herë.

 

“Si një grua që kam qenë e kufizuar në këtë vend sepse në të kaluarën nuk mund të hynim në vende të caktuara, unë votova për të. Por e humba besimin tek ata,” tha ajo.

Ajo përmend gjithashtu edhe situatën e vështirë ekonomike në vendin e saj. Sipas saj,  katër djemtë e saj, edhe pse me arsim universitar, e kanë shumë të vështirë të rriten profesinalisht.

“Kudo që aplikojnë, e pyesin a keni ndonjë të njohur?’”, shtoi ajo.

“Nuk kemi kontakt askund. Menduam se një parti fetare do të sillte barazi dhe drejtësi, por me kalimin e kohës pamë që nuk e bënë një gjë të tillë”, theksoi ajo.

Sipas OJQ-së, Fondacioni Social Demokraci, mbi 1/3 e grave që mbështetën AKP -në mund të mos votojnë në këto zgjedhje.

Mbështetja për AKP në mesin e grave turke ishte mbi 38% në 2018, por mund të shkojë në 27%, sipas sondazhit të OJQ-ve. Megjithatë, Erdogan mund të jetë gjithashtu faktor i rëndësishëm që këto gra të votojnë për partinë e tij për herë të fundit pasi e kuptojnë se falë tij kanë fituar një prestigj që nuk duan ta humbin dhe kjo mund të ngjall një ndjenjë besnikërie.

Situata është e ndryshme, megjithatë, për vajzat e reja që dyshojnë për aleancën e Erdoganit me islamistët Bakhceli dhe islamistin kurd HÜDA-PAR, një degë e një grupi të njohur edhe për tortura dhe vrasje.

Këto dy parti kërkojnë të sjellin një mënyrë jetese më islame në Turqi, të kriminalizojnë tradhtinë bashkëshortore, të heqin qafe ligjet që ndëshkojnë dhunën ndaj grave dhe të ndryshojnë ligjet e kodit civil në lidhje me moshën e martesës për vajzat e reja.

Kjo është diskutuar edhe brenda partisë së Erdoganit. Nënkryetari i grupit parlamentar të AKP-së, Özlem Zengin, është vënë në shënjestër dhe kërcënuar për mbrojtjen e ligjit që mbron gratë dhe parandalon dhunën ndaj grave, raporton abcnews.al.

 “Na duhen rreth 29 milionë vota për të zgjedhur presidentin tonë në zgjedhjet e ardhshme. Të paktën 10 milionë prej tyre janë nga femra. A ka ndonjë temë tjetër që na shqetëson kaq shumë grate”, tha ajo.

Kujtojmë se Recep Tayyip Erdogan u tërhoq në korrik 2021 nga Konventa e Stambollit që lufton dhunën ndaj grave me arsyetimin se lehtëson homoseksualitetin dhe minon vlerat familjare.

Sipas organizatave turke, vetëm në muajin prill, 21 gra u vranë nga burrat në Turqi dhe 23 u gjetën të vdekura në rrethana të dyshimta.

Sa i përket serialit Kızılcık Şerbeti, ai mbetet thellësisht i popullarizuar. Suksesi i saj qëndron në faktin se shumë gra konservatore e shohin veten si Nursema, një grua me ambicie dhe ëndrrat e së cilës bien ndesh me vlerat konservatore të familjes.

“Këta njerëz e shohin lirinë e grave si paturpësi. Por një grua duhet të qëndrojë në këmbët e veta. Gratë duhet të jenë të forta si infermierja. I dua gratë e forta”, tha Aisel për Politico.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!