Zgjedhjet në Turqi/ Erdogan kritikon mediat perëndimore: Janë përpjekur të manipulojnë votuesit

schedule09:16 - 23 Maj, 2023

schedule 09:16 - 23 Maj, 2023

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, kritikoi ashpër disa media në Perëndim, për të cilat ai beson se kohët e fundit janë përpjekur të ndikojnë në opinionin publik me titujt e tyre për zgjedhjet turke.

Në një intervistë për rrjetin televiziv TRT Haber, Erdogan argumentoi se Perëndimi është i shqetësuar nga zhvillimi i industrisë turke të mbrojtjes.

“A ju pëlqen që Turqia po bëhet më e fuqishme në fushën e industrisë së mbrojtjes? Sigurisht që nuk u pëlqen. Nuk u pëlqen sepse ne nuk blejmë më armë dhe municione prej tyre”, theksoi ai.

“Kombi iu përgjigj Perëndimit më 14 maj. Shpresoj se më 28 maj do ta bëjë përsëri”, tha Erdogan.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Rexhep Tajip Erdogan mori 49.5% të votave, ndërsa Kemal Kilicdaroglu, kandidati i një aleance gjashtëpartiake të opozitës, fitoi 45% të votave.

Të hënën pasdite, kandidati i ekstremit të djathtë Sinan Ogan, i cili siguroi 5.2% në raundin e parë, u bëri thirrje mbështetësve të tij që të votojnë për Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen të dielën e ardhshme, më 28 maj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!