Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut shprehën vullnetin në zgjedhjet presidenciale për të treguar mbështetjen për kandidatin e tyre të preferuar. Për shkak se shqiptarët dolën të përçarë në këto proces ata kishin dy alternativa: Bujar Osmanin nga koalicioni “Fronti Europian” dhe Arben Taravari nga koalicioni “Vlen”.
Ky i fundit ishte kandidati i mbështetur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në garën presidenciale,Taravari humbi me rreth 40 mijë vota ndaj Bujar Osmanit të koalicionit të Ali Ahmetit.
Lidhur me këto rezultate ka pasur reagime edhe nga radhët politike në Kosovë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili shprehet se nëse shqiptarët do të ishin bërë bashkë, do të kishin marrë një rezultat historik. Fajtor për këtë përçarje ai bën Albin Kurtin.
“Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh. Do të ishte rezultat historik. Por shqiptarët u ndanë.
Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal.
Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër. Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal! Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim!“, shkruan kreu i LDK-së.
/abcnews.al