Kosova po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme pasi Gjykata Kushtetuese dha vendimin se qeveria aktuale u votua në mënyrë jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit, dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm, Mytaher Haskuka, shpreh bindjen se partia e tij ka për ta thelluar avantazhin, edhe pa koalicion.
“Në aspektin parazgjedhor nuk kemi nevojë momentalisht të kemi me parti të cilat faktikisht e kanë qeverisur Kosovën më shumë se 20 vjet. Për individë gjithmonë është i hapur.”
VVpranon se koalicioni me subjektet e tjera mbetet një mundësi pas zgjedhjeve, por kryekomunari i Prizrenit paralajmëron vija të kuqe kur të bëhet fjalë për programin qeverisës.
“Qëllimi ynë është të jemi me aq numër që edhe mos të ketë nevojë për koalicion, edhe Kosovës në këtë situatë pandemie, në këtë situatë krizë ekonomike, i duhet një qeveri e cila mund të vendosë pa kalkulime politike, pa çështje të cilat varen prej vullnetit të një apo dy individi.”
Polemikat rreth moskandidimit të kryetarit të tij, Albin Kurti, Haskuka i quan dashakeqe, ndërsa për bashkëpunimin me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, ai shprehet optimist.
“Mendoj që edhe me Vjosa Osmanin edhe me të gjithë të tjerët të pakënaqur me këtë politikën ‘kameleoniste’ kur prej ditësh në ditë ndryshojnë qëndrimet dhe mendimet, duhet të kemi bashkëpunim të mirëfilltë dhe me Vjosën Osmani dhe me të gjithë të cilët do të jenë në listën e saj dhe kudo që janë.”
Sondazhet në Kosovë nxjerrin Vetëvendosjen si parti të parë në rast zgjedhjesh, ndërsa sekretari i Lidhjes Demokratike aktualisht në pushtet, pretendon të kundërtën.
“Pritjet tona janë shumë pozitive, besoj që do t’i ruajmë, ndoshta t’i rrisim votat që i kemi pas. Ato ç’ka i dëgjojmë janë fabrikime, lajme të rrejshme, ato që i kemi pa se disa vite fatkeqësisht ku parti politike ose individ, ose disa të veshur edhe në petkun e analistit shpërndajnë lajme të rrejshme…synojmë më i fitua me ekipin dhe njerëzit ma të mirë të vendit”, thotë ai.
Abrashi, i cili është edhe ministër i Infrastrukturës thotë se ende nuk kanë diskutuar se kush do të udhëheqë listën zgjedhore të partisë.
“Nuk e kemi diskutu, kryeministri Hoti po bënë një punë të mirë e ka marrë qeverisjen në një kohë të vështirë.”
Kosova pritet t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, me një vendim të konsultuar edhe me kryetaren e shtetit, Osmani.
Deri tani dy parti kryesore që kanë zgjedhur kandidatët me të cilët do të garojnë për kryeministrinë, përkatësisht Enver Hoxhaj me PDK-në dhe Ramush Haradinajn me AAK-në.