Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 14 shkurt. Ndërkohë, që fati i Albin Kurtit ende nuk dihet për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ndalon kandidimin për personat që kanë një dënim të formës së prerë.
Në një intervistë për Radar Informativ me Jonida Shehun, Ehat Miftaraj drejtor i Insitutit të Kosovës për drejtësi, komentoi situatën politike.
Ai u shpreh i bindur se Vetëvendosje do t’i fitojë këto zgjedhje, ndërsa PDK dhe LDK po luftojnë për vendin e dytë.
“Është fakt që ka një frymë të re sa i përket votuesve. Kemi ngritje të VV. Është një luftë nga ana tjetër e PDK dhe LDK se kush e zë vendin e dytë. Është e qartë se VV do ti ftojë këto zgjedhje”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër Miftaraj tha se është e pamundur që Vetëvendosje të sigurojë 80 vota që të zgjedhë presidentin, post ky që Albin Kurti ia ka premtuar Vjosa Osmanit.
“VV i duhen së paku 80 vota për presidentin. Është e parealizueshme vetëm nëse do të kemi një politikë të re që t’ja bëjnë dhuratë këtë pozitë Vjosa Osmanit. Nëse partitë politike kërkojnë që të jenë pjesë e ekzekutivit apo ndarjes së pushteteve atëherë do jetë e pamundur që VV të ketë 80 votat e garantuara në Kuvend për zgjedhjen e presidentit. Nëse VV nuk do të sigurojë 80 vota atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje.
Sistemi politik e bën të pamundur vetëm nëse do të kemi dhuratë. Thuajse nuk ka gjasa fare. Partia e parë që do të fitojë zgjedhje do të ketë Kryetarin e Kuvendi, do të ketë edhe kryeministri që është jetike për Kurtin dhe për presidentin duhet të bëjë pazare, është mision i pamundur. Kurti ka luajtur një strategji të mirë. Ka bërë marrëveshje me Osmanin”, deklaroi ai. g.v/abcnews.al