I ftuar në Abc Live, Florian Riza i shqetësuar është shprehur se situata nuk është e mirë me gjykatën në zgjedhjet për kreun e FSHF-së.
“Kudo nëpër media sheh se gjykata ka thënë burg për ne të Federatës. Ne jemi të saktë dhe të qetë me vendimet që po marrim.
Politika na ka dëmtuar shumë, duke u futur në zgjedhjet tona. Nëse vazhdohet kështu, ne rrezikojmë dhe finalen e Conference League që do të zhvillohet në Shqipëri. Mund të ndodhë njësoj si me Rusinë sot.
Nga situata e luftës në Ukrainë, UEFA vendosi të ndëshkojë shtetin rus duke e ndryshuar vendodhjen e finales së Champions League, që do të luhej në St Petersburg. Kjo gjë mund të ndodhë edhe me ne, pasi gjykata dhe prokuroria po e dëmton imazhin tonë në sytë e UEFA-s.
Nëse kjo gjë do të ndodhë, nuk do të ketë përfitime ekonomike, madje mund të ketë edhe humbje.”
Më pas Riza shtoi se është i sigurt se UEFA është në anën e FSHF-së.
“Jam i sigurt se UEFA është në anën tonë, pasi nuk mund të lejojë të bëhen padrejtësira me federatën tonë. Jo sepse ne jemi FSHF, por sepse nëse një anëtar i UEFA-s sulmohet dhe nuk mbrohet, atëherë do të rrëzohej e gjithë piramida e UEFA-s, pra ajo i mbron anëtarët e saj”./ h.ll/abcnews.al