Zgjedhjet në FSHF, presidenti i Teutës mban qëndrim: Politika të distancohet nga futbolli

schedule17:16 - 28 Janar, 2022

schedule 17:16 - 28 Janar, 2022

Edmond Hasanbelliu, presidenti më i vjetër në Abissnet Superiore, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur me Armand Dukën, kreun e FSHF. Ai dënon aktin e bërë ndaj tij (një lëndë plasëse iu vendos në derën e shtëpisë së tij) dhe bën thirrje që politika të qëndrojë larg futbollit.

“Solidarizohem në këtë moment të vështirë me presidentin Duka dhe me familjen e tij. Uroj dhe shpresoj shume që një ngjarje kaq e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe autorët të vihen para drejtësisë.

Gjithashtu edhe politika duhet të distancohet nga fenomene të tilla që baltosin imazhin e Shqipërisë. Shpresoj shumë që kjo ngjarje të mos ketë lidhje kurrsesi me ndërhyrjet e politikës në futboll, të cilat janë thellësisht evidente ditët e fundit.

Politika duhet të qëndrojë larg çështjeve që i takojnë komunitetit të futbollit, i cili duhet  të vendosë në mënyrë të pavarur për zhvillimin e futbollit ne vend”, shprehet Hasanbelliu në deklaratën e shpërndarë nga klubi i Teutës. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!