Zgjedhjet në Francë, Macron dhe Le Pen sulmojnë ashpër njëri-tjetrin pak para mbylljes së fushatës

schedule14:44 - 23 Prill, 2022

schedule 14:44 - 23 Prill, 2022

Nga Paul Kirby, BBC

Dy kandidatët që po luftojnë për presidencën franceze kanë filluar sulmet e ashpra kundër njëri-tjetrit në një përpjekje përfundimtare për të fituar mbështetjen e milionave votuesve të pavendosur përpara zgjedhjeve të së dielës.

Emmanuel Macron synon të bëhet presidenti i parë në detyrë që fiton një mandat të dytë në 20 vite. Macron është në krye të sondazheve deri më tani, por partia e djathtë ekstreme e Le Pen nuk ka qenë kurrë kaq afër pushtetit.

“Macron apo Franca”

Problemi kryesor në këto zgjedhje ka qenë rritja e kostos së jetesës, nga faturat e energjisë dhe rritja e çmimit të ushqimeve deri te çmimi i karburanteve. Le Pen ka premtuar një qeveri të unitetit kombëtar për të eleminuar koston e lartë të jetesës, si dhe një referendum për emigracionin dhe ndalimin e mbajtjes së shamive në publik.

Mesazhi i saj për votuesit ka qenë: “Është Macron apo Franca”.

“Këto zgjedhje janë një formë referendumi, mbi sekularizmin dhe Europën,” tha Macron duke argumentuar se ideja e Le Pen për “Europa e kombeve” do të nënkuptonte një fund të BE-së.

Sipas tij, e djathta ekstreme e Marine Le Pen ushqehej nga pakënaqësia.  Le Pen tha se Franca kishte duruar pesë vite kaos dhe tani kishte ardhur koha të rikthente paqen dhe respektin.  Problemi më i madh për të dy kandidatët është numri i votuesve pasi sipas sondazheve pjesëmarrja mund të jetë më e ulëta që nga viti 1969, raporton abcnews.al.

Pakënaqësia për politikën e Macron u zbulua në raundin e parë, kur më shumë se gjysma e elektoratit mbështeti të djathtën ekstreme ose ekstremin e majtë.

Më shumë se një në pesë francezë votuan kandidatin e ekstremit të majtë Jean-Luc Melenchon, i cili doli i treti, pas Marine Le Pen. Sondazhet përfundimtare sugjerojnë se presidenti në detyrë do të fitojë ndërmjet 53% dhe 57% të votave, kështu që ka pikëpyetje të mëdha se kë do të mbështesin 7.7 milionë votues të Melenchon.

Sipas një sondazhi të Ipsos të premten, 48% e njerëzve që votuan për të në raundin e parë nuk mbështesin asnjë kandidat në raundin përfundimtar. Fushata përfundoi në mesnatë të premten dhe të dy ekipeve tani u kërkohet me ligj që të ndalojnë fushatën zgjedhore deri në përfundimin e votimit të dielën në mbrëmje.

Këto kanë qenë zgjedhje të pazakonta që nga fillimi, fillimisht për shkak të pandemisë dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës. Kjo nënkupton se Macron u angazhua me votuesit vetëm 8 ditë përpara raundit të parë, raporton abcnews.al.

Edhe pse 12 kandidatë morën pjesë në atë garë fillestare, vetëm tre prej tyre arritën të kishin rezultate të mira. Dy partitë kryesore që udhëhoqën Francën deri në fitoren e Emmanuel Macron në vitin 2017, morën më shumë se dy milionë vota.

Fushata mesa duket u gjallërua të mërkurën, kur të dy kandidatët zhvilluan debatin e parë politik për gati 3 orë live.

/abcnews.al