Zgjedhjet në Francë/ 51 kandidatë, deputetë dhe aktivistë janë sulmuar fizikisht

schedule12:13 - 5 Korrik, 2024

schedule 12:13 - 5 Korrik, 2024

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, konfirmoi sot raportet e mëparshme se sulmet kundër kandidatëve dhe aktivistëve politikë janë shtuar në Francë përpara zgjedhjeve të së dielës.

Sipas tij, 51 kandidatë, deputetë apo aktivistë politikë janë sulmuar fizikisht gjatë fushatës zgjedhore.

“Fushata zgjedhore është e shkurtër, jo më shumë se tre javë, e megjithatë tashmë kemi 51 kandidatë, deputetë apo aktivistë që janë sulmuar fizikisht dhe nuk po flas as për sulmet verbale”, tha ministri të premten në mëngjes.

Ai gjithashtu theksoi se sulmet ishin “nganjëherë jashtëzakonisht serioze, duke dërguar njerëzit në spital”.

Ministri francez vuri në dukje se janë arrestuar më shumë se 30 persona.

“Këta janë ose njerëz të zemëruar ose aktivistë politikë, nga e majta ekstreme ose grupe të tjera politike,” tha ai, duke theksuar se nuk ishte ende në gjendje të hartonte një “profil tipik” të autorëve.

Ai gjithashtu shtoi se janë sulmuar kandidatët nga të gjitha partitë politike. Ministri francez përsëriti se të dielën, ditën e zgjedhjeve do të mobilizohen 30 mijë policë dhe xhandarë, nga të cilët 5 mijë do të jenë në Paris.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!