Zgjedhjet e së dielës për presidencën 3 palëshe të Bosnjes konfirmuan në deytrë 3 kandidatët e partive kryesore në vend. Në këtë mënyrë, Millorad Dodik i komunitetit serb arriti të triumfojë sëbashku me kandidatin e boshnjakëve Xhaferoviç dhe atë të kroatëve Komsiç.
Asnjë surprizë në zgjedhje. Nacionalisti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik ka fituar mandatin 4-vjeçar të komunitetit të tij në presidencën tripalëshe të Bosnje Hercegovinës. Partia kryesore e myslimanëve boshnjakë, ka thënë se kandidati i saj, Sefik Xhaferoviç, do të përfaqësojë këtë parti në presidencë. Sa i përket votuesve kroatë, Zheljko Komsiç është kthyer sërish në ulësen presidenciale.
Bosnja është e ndarë në tri etni, Republika Serbe e dominuar nga serbët dhe Federata Myslimano-Kroate e boshnjakëve dhe ajo e kroatëve. Subjektet janë të lidhura nga institucione të nivelit të njëjtë në presidencën tripalëshe. Përveç zgjedhjes së liderëve në presidencë, votuesit kanë zgjedhur më 7 Tetor edhe ligjvënësit parlamentarë dhe këshilltarët komunalë. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 53.3%, ku 3.3 milionë persona kanë pasur të drejtë vote.
Sipas zyrtarëve zgjedhorë, në ditën e zgjedhjeve nuk është raportuar për ndonjë incident të madh. Komisioni Zgjedhor i Bosnjës ka thënë se Dodik që drejton Republikën Serbe në këtë shtet nga viti 2006 ka fituar 55.2 %, duke mundur kandidatin tjetër, Mlladen Ivaniç, i cili ka pranuar humbjen.
Dodik, që ka lidhje të ngushta me Rusinë, ka thënë në një konferencë për media, se “prioriteti i tij i parë do të jetë pozicioni i popullit serb dhe Republikës Serbe”.
“Unë besoj se Bosnje-Hercegovina mund të zhvillohet nëse secili respektohet”, ka thënë Dodik në Banja Llukë.
Xhaferoviç nga Partia për Aksion Demokratik, ka udhëhqur në garën për ulesën boshnjake në presidencë, duke fituar 38% të votave. Ndërkohë, social-demokrati Komsiç, që ka shërbyer dy mandate në presidencë, ka triumfuar me 49.5 %, duke mundur kandidatin tjetër, Dragan Çoviç. Ky i fundit, i cili u ndal në 38% të votave, gjatë fushatës bëri thirrje për të ndarë kroatët si etni të veçantë në këtë shtet./abcnews.al