Zgjedhjet, KQZ kërkon ndjesë/ Pelinku: Po hetojmë, qëndrimi im pas përfundimeve

schedule15:16 - 19 Maj, 2023

schedule 15:16 - 19 Maj, 2023

Qindra vendvotime u hapën me vonesë të dielën, sepse komisionerët hasën probleme me përdorimin e pajisjes elektronike që identifikon zgjedhësit, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo nuk quhet dështim.

Lealba Pelinku, nënkomisionere dhe përgjegjëse për aplikimin e teknologjisë në zgjedhje, thotë për ABC News se problematikat nuk ndikuan në rezultat.

“Nuk ishte dështim, partitë kanë të drejtë të pretendojnë menaxhim perfekt nga KQZ”

Sipas Pelinkut u shfaqën probleme në më pak se 10 % të qendrave të votimit, dhe për këtë po bëhet një hetim.

“Po bëjmë një ekzaminim të pajisjeve, për të parë sa ka qenë problemi, dhe se i kujt ka qenë problemi, i KQZ-së apo i kompanisë.”

Por a e mendon dorëheqjen Pelinku, e cila u caktua në KQZ si e besuara e opozitës për të garantuar funksionalitetin e teknologjisë?

“Dorëheqje? Në fund të këtij procesi, kur të kuptohet në cmasë ishte problemi, që sigurisht është më i vogël se sa u transmetua, do të marr një vendim personal”

KQZ ende nuk ka ndëshkuar ndokënd për atë që shfaqet në këtë video.

“Flakja e pajisjes është e pajustifikueshme dhe më vjen shumë keq. Por ka qenë e paqëllimtë. Nga verifikimi dhe gjurmimi na rezulton që ato pajisje që u flakën ashtu, nuk ishin dëmtuar dhe funksionuan të dielën.”

Sfida kryesore e KQZ-së në zgjedhje ishte të gjeten 5200 njerëz që të përdornin pajisjen e identifikimit. Në gati 100 qendra nuk aplikoi askush, dhe në të tjera, operatorët nuk u paraqitën.

“Nuk është problem tek pagesa për mungesën e operatorëve, por kjo ndodhi në fshatra të cilët janë braktisur nga rinia.”

Nënkomisionerja shtetërore e zgjedhjeve propozon që në zgjedhjet e ardhshme mësuesit të angazhohen si operatorë identifkimi.

“Ka nevojë ulëritëse për ndryshimin e kodit zgjedhor. Një opsion janë mësuesit. Ata presupozohet të kenë një nivel më të lartë përgjegjshmërie se sa ai i riu që të dielën nuk i del gjumi”

Një komision i posacëm i reformës zgjedhore është i ngritur që nga viti 2021, por nuk po funksion për shkak të betejave politike, sidomos brenda Partisë Demokratike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!