Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar këtë të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Në një mbledhje pasditen e së enjtes në Prishtinë, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota pro dhe 2 kundër.
Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e zgjedhjeve në këtë kohë, pasi partia e tyre ka kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotim me postë, pavarësisht se Gjykata Supreme e rrëzoi kërkesën e saj.
“Ne do t’i ndjekim rrugët ligjore dhe do ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese” tha Kurteshi.
Po ashtu, Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha përmes një postimi ne Facebook se qeveria aktuale deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi, do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv.
Ai ka thënë se ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit për Qeverinë e Kosovës, si dhe kërkesat e Kushtetutës.
Ndersa sipas nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.
Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.
Tre kryetarë komunash – përfshirë kandidatin e PDK-së për kryeministër në këto zgjedhje Bedri Hamza – hoqën dorë nga mandati i deputetit, sepse, sipas ligjeve dhe Kushtetutës, nuk kanë të drejtë t’i mbajë dy pozita zyrtare.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe do të zëvendësohet nga Arben Gashi. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti do të zëvendësohet nga Paris Guri, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, do të zëvendësohet nga Rashit Qalaj.
Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë është konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe pastaj i formimit të Qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.
Mandatari më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind.