Në të gjitha qendrat e votimit ku ka patur mospërputhje votash pas rihapjes së kutive, numëruesit do të përballen me hetim administrativ.
Pesë anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve i janë drejtuar me një shkresë kryekomisionerit Celibashi ku i kërkojnë të identifikojë numëruesit në qarqet Fier, Durrës, Tiranë dhe Elbasan, për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me krime zgjedhore apo gabime njerëzore.
“Ky hetim administrativ ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet kur formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrënë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim”, komunikon KAS.
Nëse nga verifikimet e KQZ do të zbulohet se ka patur shkelje gjatë procesit të numërimit të votave të 11 majit, atëherë KAS do të diskutojë sërish nëse do të kërkojnë hetim nga prokuroria ose jo.
Nga rinumërimi në Tiranë rezultoi se komisionerët i kishin shtuar partisë demokratike 612 vota më shumë ndërsa partisë socialiste 380 vota. Në Fier, PD kishte marrë 147 vota të padrejta ndërsa PS i ishin hequr 30. Ndërsa në Durrës, PD 18 vota më shumë kurse PS 5 vota. Lëvizje votash pati edhe ndër rradhët e kandidatëve.
/abcnews.al

