Zgjedhjet e pjesshme vendore, Vangjel Tavo kryetari i ri i Himarës, fiton përballë Gjikurisë me mbi 1400 vota diferencë

schedule07:15 - 5 Gusht, 2024

schedule 07:15 - 5 Gusht, 2024

HIMARË- Himara zgjedh kryetarin e ri. Kandidati i PS Vangjel Tavo është shpallur fitues përballë Gjikurisë me një diferencë prej 1477 votash.

Qendrat e votimit u hapën një ditë më parë, të dielën, (04/08/2024) që prej orës 07:00, ku himariotët me votën e tyre zgjodhën kryetarin e ri të bashkisë.

Rezultati u shpall këtë të hënë (05/08/2024), me fitues kandidatin e PS,  ku Vangjel Tavo u shpreh falënderues ndaj qytetarëve që e votuan.

Sipas KQZ, pjesëmarrja në zgjedhje rezultoi të ishte 37.61%.

ABC News ka pasqyruar minutë pas minute të gjitha zhvillimet mbi procesin zgjedhor në Bashkinë e Himarës.

Zhvillimet; (E hënë 05/08/2024)

Ora 07:07- U shpall fitues i zgjedhjeve në Himarë, Vangjel Tavo: Do vazhdojmë nga puna, Gjikuria i mirëpritur

Vangjel Tavo është shpallur fitues i zgjedhjeve të pjesshme vendore në Himarë. Pas rezultatit ai ka falënderuar votuesit. Gjithashtu Tavo ka theksuar se është e rëndësishme që të nisë puna menjëherë për një Himarë pa probleme. Ndër të tjera ka thënë se Gjikuria është i mirëpritur për nënkryetar.

“Të gjithë për Himarën e bashkuar pa probleme dhe të qetë. Festë nuk ka do vazhdojmë nga puna. Prioritet do të jetë turizmi, oferta ka qenë e sinqertë, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar.”, ka thënë ai.

Ora- 06:59 – Himarë/ Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë, Vangjel Tavo fituesi

Vangjel Tavo është fituesi i zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës. Tavo është shpallur fitues me një diferencë prej 1477 votash. Sipas KQZ KQZ-së, nga 36 kuti, Tavo ka fituar me 58.62 % të votave. Ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota/ 41.38%.

Zhvillimet minutë pas minute gjatë ditës së diel (04/08/2024)

Ora 23;05- Himara zgjedh kryetarin e ri, kutitë dorëzohen në KZAZ, gati të nisë procesi i numërimit të votave

Pas përfundimit të orarit të votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, dhe mbylljen e të gjithë qendrave të votimit, kutitë e votimit kanë mbërritur në KZAZ. Të gjitha procedurat janë gati dhe pritet të nisë edhe numërimi i votave.

Ora 20; 45- Himara zgjedh kryetarin e ri, mbyllet procesi i votimit në të 36 qendrat, KQZ: Votuan 37.61 përqind

Sipas KQZ, nga raportimi i 36 qendrave të votimit, në zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024, votuan 8678 zgjedhës, ose 37.61% e totalit të 23.074 zgjedhësve në listë.

Ora 20:35- Gjikuria deklaratë pas votimit, kandidati i “Bashkë Fitojmë”: Pjesëmarrja e lartë, jam fitues i kësaj gare

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” Petro Gjikuria ka dhënë një deklaratë për mediat pas votimeve në Himarë. Ai u shpreh se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë e lartë. Gjithashtu Gjikuria nënvizoi se në këtë garë e sheh veten fitues.

“Në këtë fushatë kishte zbritur gjithë administrate me kërcënime. Por himariotët treguan se nuk tremben dhe nuk e ulin kokën.”, tha Gjikuria.

Ora 20:13- Himara zgjedh kryetarin e ri, mbërrijnë në KZAZ kutitë e votimit

Pas përfundimit të orarit të votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, dhe mbylljen e të gjithë qendrave të votimit, kutitë e votimit kanë mbërritur në KZAZ.

Procesi i votimit në 36 qendrat e votimit gjatë ditës së sotme vijoi qetë, ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht.

Ora 19: 47- Reagimi i KQZ- Himara zgjedh kryetarin e ri, mbyllet procesi i votimit në të 36 qendrat, KQZ: Pjesëmarrja 36.9 përqind

“Në orën 19:00 përfundoi orari i votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë. Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë. Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm. KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit. Nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 36.9%. Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave. Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV më e largët.”,  thekson KQZ

Ora 19: 00- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 19:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 36.9%.

Ora 18:00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 18:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 36.2%.

Ora 17:00 –Sipas KQZ pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 17:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 33.48%.

Ora 16:00- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 16:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 31.37%.

 

Ora 15:00 –Sipas KQZ pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 15:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 30.44%.

Ora 14:00- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 14:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 28.12%.

Ora 13:00- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e pranoi se janë rreth 6 mijë zgjedhës me karta identiteti (ID) të skaduara, ndërsa shtoi se kjo shifër ka qenë dhe vitin e shkuar. Ai theksoi se kjo çështje do duhej të ishte adresuar më parë, ndërsa përgjegjësinë e delegoi tek partitë politike.

Ora 11:40- Nga të dhënat e fundit të përditësuara në faqen online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se numri i pjesëmarrjes deri në orën 11:00, e shprehur në përqindje është 17.36%.

Ora 11:00- Pas Vangjel Tavos së Partisë Socialiste, ka ushtruar të drejtën e votës edhe rivali i tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikuria. Ai kërkoi nga qytetarët të shkojnë në qendrat e votimit, ndërsa të dielën e konsideroi si ditë feste për Himarën dhe demokracinë.

Ora 10:40- Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, ka hedhur votën e tij në zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Himarës. Ai theksoi se sot është dita e qytetarëve të Himarës, ndërsa apeloi që të dalin të votojnë alternativën më të mirë.

Ora 09:50- KQZ raporton në faqen e saj online se numri i votuesve deri në orën 09:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 6.53 %.

Ora 09:20: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se identifikimi i zgjedhësve bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit dhe deri tani nuk raportohen problematika.

“Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika”,  thekson KQZ.

Ora 08:00- Sipas KQZ, pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 08:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 2.69%.

Garuesit, qendrat e votimit dhe numri i zgjedhësve

Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit.

Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria.

Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash.

Pas arrestimit të tij bashkia u drejtua fillimisht nga ish-kryebashkiaku, Jorgo Goro i cili u arrestua për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për abuzime me pronat.

Pas Goros drejtimin e bashkisë e mori nënkryetarja, Blerina Balaj, e cila më pas dha dorëheqjen duke përmendur arsye personale. Këshilli bashkiak më pas zgjodhi një kryetar të ri në detyrë, Arqile Bollanon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!