NEW YORK- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, thotë se do të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme, që priten të zhvillohen në gjashtë Bashki, mes tyre dhe në Tiranë.
Ai theksoi në “Real Story” se institucioni i kreut të shtetit pret njoftimin e vakancave nga qeveria dhe pastaj do të vihet në lëvizje për të konkretizuar dhe dekretuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Pas këtij hapi, Begaj thekson se brenda 48 orësh do duhet të shpallë sipas Kushtetutës “organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto bashki”.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Duket se qeveria është e interesuar për nisjen e një reforme zgjedhore siç e kërkojnë edhe BE që kërkon që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse, por opozita duket për momentin është një hap pas. Por të flasim për diçka që lidhet drejtpërdrejt me detyrën tuaj kushtetuese si President. Një ditë më parë mori fund edhe procesi i shkarkimit të kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, nga qeveria qendrore, pas kërkesës së miratuar nga Këshilli Bashkiak. Kjo e çon në 6 numrin e bashkive që sot janë pa kryetar bashkie. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë që Tirana nuk mund të qëndrojë më në këtë situatë me një kryetar të burgosur njëkohësisht në detyrë dhe ndërkohë ka caktuar edhe emrin e kandidatit. Çka do të thotë se presioni është në rritje ndaj institucionin të Presidentit që të shpallë një datë zgjedhjesh të parakohshme. Nga pikëpamja kushtetuese, kjo kohë mesa kuptoj unë është mes tetorit dhe nëntorit, a jeni në prag të një vendimmarrje?
Presidenti Bajram Begaj: Konstatimi juaj është i drejtë, pushteti lokal është shumë i rëndësishëm sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me ndikimin në jetën e qytetarëve. Dhe për fatin e keq Presidenti është pjesë fundore e këtij procesi ligjor. Domethënë që, unë nuk jam duke analizuar se nuk kam çfarë të analizoj për zgjedhjet në momentin që unë vihem në dijeni për vakancat e pushtetit lokal për zgjedhje të jashtëzakonshme patjetër do të shpall zgjedhjet brenda detyrimit kushtetues të 48 orëve dhe për periudhën nga 30 deri 45 ditë nga momenti që unë marr njoftimin. Do të thotë Presidenti i Republikës ka vetëm një proces fundor. Pra, duhet të marr njoftimin nga kryeministria.
Sokol Balla: Pra, nga kryeministri duhet të merrni njoftimin zyrtar që për X bashki…
Presidenti Bajram Begaj: Për këto bashki ka vakancë, atëherë jam i detyruar që brenda 48 orësh të shpall organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto bashki
Sokol Balla: Dhe i bie që do respektoni edhe Kushtetutën e cila kërkon që këto zgjedhje të mbahen mes tetorit dhe nëntorit
Presidenti Bajram Begaj: Sapo e thashë, që unë jam i detyruar të zbatoj Kushtetutën.
Sokol Balla: z.President, na e ndjeni këmbënguljen pasi nuk jemi mësuar të kemi një President normal. Kemi patur gjithmonë presidentë që kanë ardhur nga politikat që herë kanë qenë të ndikuar, herë të motivuar, anormaliteti ka qenë normalitet për ne ndaj ndjesë që këmbëngul te kjo pjesë. Por kur dëgjojmë një President që thotë do respektoj vetëm kushtetutën ndihemi pak …
Presidenti Bajram Begaj: Nuk kam asnjë interes politik dhe për mua i vetmi udhëheqës në punën time është Kushtetuta./abcnews.al

